Foto: KALLXO.com

Tani e shtatë vite Konjufca përballet me drejtësinë për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pritet të dalë sot para Gjykatës së Prishtinës në cilësinë e të akuzuarit për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Më 20 dhjetor të vitit 2023 ishte paraparë që të dëgjohej si dëshmitar nënkryetari i Kuvendit në atë kohë, Sabri Hamiti, por dhënia e dëshmisë së tij u pamundësua pasi që seanca nuk arriti të mbahej në mungesë të të akuzuarit.

Në këtë rast kishin dëshmuar edhe ish-deputeti Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri, më 25 tetor të vitit 2023.

Ndërsa sot është planifikuar që në cilësinë e dëshmitarit përpos Hamitit të dëgjohet edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Lekaj nga kjo gjykatë ishte shpallur fajtor lidhur me aferën e “53 milionëshit” më 31 janar të këtij viti.

Rasti ndaj Konjufcës është duke u gjykuar në departamentin e përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga Gjyqtarja, Edita Çanta, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Besart Mustafa.

Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.

Lidhur me këtë vepër penale, Konjufca nuk do të ndiqet penalisht e as nuk mund të dënohet pasi që vepra penale e pengimit të personit zyrtar i është vjetërsuar.