Rritja e çmimeve të karburanteve, Abdixhiku kërkon nga Kurti që t'i marrë 4 vendime

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria Kurti është e paaftë për ta menaxhuar krizën me rritjen e çmimeve të naftës në Kosovë.

Abdxhidiku ka thënë se sot çmimi i naftës ka arritur në 1.60 euro për litër e nga ky çmim, sipas tij, qytetarët e Kosovës i paguajnë 60 centë tatim e akcizë Qeverisë.

“Pra nuk i paguajnë vetëm çmimet e ngritura ndërkombëtare të naftës; i paguajnë edhe apetitet e Qeverisë për t’iu marrë më shumë para e taksa edhe në kohë krize. 60 cent nga 1.60 euro për çdo litër është shumë. Nga çdo mbushje 25 euroshe, qyterarët i paguajnë 15 euro naftë e gati 10 euro tatim. Dhe me çdo rritje të çmimit ndërkombëtar, ky tatim po bëhet dhe me i lartë e çmimi edhe më i papërballueshëm”, ka shkruar ai në Facebook,

Abdixhiku ka thënë se partia e tij tash e disa muaj e ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimeve duke kërkuar nga Qeveria edhe politika fiskale në këtë drejtim.

“Ka disa javë që LDK ka ngritur në Kuvend vëmendjen për rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës – dhe produkteve tjera si rrjedhojë. Ka disa javë që kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ofrojë një pako politikash fiskale që zbusin këtë ngritje. Por, si me çdo temë tjetër tashmë, veprimet e Qeverisë janë ose të vonshme ose inekzistente”, ka shkruar ai.

Sipas kreut të LDK-së, Qeveria e Kosovës deri më tani ka marrë vetëm një masë për këtë çështje, duke theksuar se kjo masë nuk mjafton.

“Masa e vetme e ndërmarrë nga Qeveria deri më tani, ka qenë kufizimi intervencionist i marzhës së fitimit; sa për të treguar se nuk kuptojnë asgjë në këtë punë. Me këtë intervenim, ata kanë arritur të zvogëlojnë çmimin e naftës për vetëm 3 cent në litër. Kaq është kontributi i Qeverisë. Vetëm nesër, me një rritje të re që do të ndodhë, ky 3 centësh zhbëhet në kontribut tatimi”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se rritja e çmimit të naftës është duke ndodhur për shkak të krizës globale, duke shtuar se në të ardhmen Kosova do të ketë problem edhe me çmime por edhe me sasi.

“Qeveritë ekzistojnë për të ndërmarrë masa nacionale. Për t’i përballur krizat e jo vëzhguar ato. Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë – si me çdo temë tjetër, e vonuar. Inekzistente në reagim, e paaftë në zgjidhje. Vështron krizat, por s’merr asnjë masë. Ky vëzhgim i saj natyrisht se kushton”, ka thënë tutje ai.

Kreu i LDK-së ia ka propozuar Qeverisë Kurti 4 vendime të cilat duhet të merren me urgjencë e të cilat janë si në vijim:

1. Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë.

2. Në vijë me praktikat e shumta ndërkombëtare, të vendoset racionimi i sasisë së naftës që një individ mund të blejë. Duhet të pranojmë që jemi në krizë, furnizimet e kufizuara duhet të ndodhin sa më parë.

3. Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

4. Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë.