Ilustrim - Foto: REL/Reuters

Rritja e çmimeve të ilaçeve, procedohen penalisht dy pronare barnatoresh në Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë në Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive të tregtimit të medikamenteve me çmime të rritura në mënyrë fictive, duke përfituar nga situata emergjente me coronavirusin, ka kryer kontrolle të befasishme në të gjitha farmacitë.

Në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Medikamenti”, janë proceduar penalisht 2 shtetase, pronare të farmacive: S. L., 32 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 40 vjeçe, banuese në Shijak, Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezinfektuesisht për duar (xhel antibakterial), pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen Nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.

Kontrollet e befasishme do vijojnë në të gjithë qarkun për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe përfitimit nga situata e krijuar duke abuzuar me çmimet jo vetëm të medikamenteve, por të çdo produkti për konsum nga qytetarët.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.