Rritet për 4.6% importi i mallrave në Kosovë gjatë janarit 2023, krahasuar me janarin e vitit 2022

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në janar të këtij viti, importi i mallrave është rritur në krahasim me të njëjtën përiudhë të vitit 2022.

Sipas ASK-së, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, importi i mallrave në muajin janar të këtij viti ka pësuar një rritje prej 4.6 përqind.

Eksporti i mallrave të Kosovës në muajin e parë të vitit 2023 kishte vlerën 353.7 milionë euro.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 149.3 milionë euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.2%), Italia (4.6%), Greqia (4.6%), etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar 2023, kanë pasë një rritje prej 7.1%.

“Importet arritën në 54.4 milionë euro, ose 15.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.1%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.4%)” – thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 149.9 milionë euro, ose 42.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14.2%) dhe Kina (10.5%).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.2% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Nga cilat vende importoi dhe eksportoi më së shumti Kosova në janar?