Nga cilat vende importoi dhe eksportoi më së shumti Kosova në janar?

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2023.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin janar 2023 kishte vlerën 62.1 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerën 353.7 milionë euro, që është një rënie prej (-3.2%) për eksport, si dhe një rritje prej 4.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së gjatë këtij muaji patën rënie prej -24.1 dhe partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.6%), Italia (4.6%), Holanda (3.7%), etj.

Ndërsa importet patën rënie prej – 9.9 përqind, dhe importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.2%), Italia (4.6%), Greqia (4.6%), etj.

Ndërsa, sa i përket vendeve të CEFTA-s, Serbia është shteti prej të cilit Kosova ka importuar më së shumti këtë muaj, me 5.1 përqind, nga Shqipëria 4.6 përqind dhe nga Maqedonia e Veriut 4.4 përqind.

“Në muajin janar 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 25.9 milionë euro, ose 41.8%  të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (19.2%), Shqipëria (10.2%), Mali i Zi (6.1%), dhe Serbia (5.1%)”- thuhet në të dhënat për eksportin.

Në botë, partnerët më të rëndësishëm të Kosovës për eksport gjatë janarit ishin Zvicra (9.5%), dhe SHBA (8.1%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 149.9 milionë euro, ose 42.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14.2%) dhe Kina (10.5%).

Në raportin e ASK-së, janë përfshirë edhe grupet kryesore të importit dhe eksportit.

Për eksport 25.6%e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.4% e përbëjnë produktet minerale; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 4.4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.2% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.