Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritet numri i votuesve në veri

Në mbledhjen e 17-të të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është diskutuar lidhur me zgjedhjet që janë paralajmëruar të mbahen më 21.04.2024, për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani tha se në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 23.04.2023 numri është rritur për 1 mijë e 153 votues.

“Në këtë numër hynë edhe ata që kanë mbushur 18 vjeç” – tha Elshani më 18.03.2024

Tutje, u njoftua se numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46,248 votues, ndërsa numri i përgjithshëm i Qendrave të Votimit është 44.

Me qëllim të funksionalizimit Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna u caktuan edhe Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së.

KQZ mori vendim edhe për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, numër ky që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së.

233 mijë e 204 euro është shuma e ndarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 21.04.2024 në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.