Rreth 20 qytetarë nga Krusha e Madhe patën kontakt me dy të infektuarit nga Malisheva

Kryetari i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti ka bërë të ditur se deri më tani rreth 20 qytetarë janë lajmëruar në Qendrën e Mjekësisë në Krushë, pasi që kanë pasur kontakt me dy persona që rezultuan pozitiv me coronavirus.

Sot gjatë ditës, Hoti ka njoftuar se të premten në Krushë, dy qytetarë nga Komuna e Malishevës kanë shitur fidane të pemëve, pas konfirmimit të Institutit të Shëndetësisë që të dy kanë dalë pozitiv me COVID19. Ai ka bërë thirrje te qytetarët të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit të lajmërohen në Qendrën e Mjekësisë në Krushë.

“Pas takimit që kisha me stafin e QMF “Fahredin Hoti në Krushë dhe me Dr. Qazim Cana- koordinator i QKMF “Fahredin Hoti në Rahovec, edhe njëherë ju bëjmë thirrje juve të gjithëve që keni blerë fidane ditën e Premten nga dy qytetarët e Komunës së Malishevës, pozitiv me COVID-19 që të vazhdoni të lajmëroheni në QMF “Fahredin Hoti” në Krushë ku stafi i saj do të ju njoftoj dhe këshilloj si të veproni tutje apo të futeni në vetëizolim me qëllim që të mbroni veten, familjet dhe gjithë tjerët” ka thënë Hoti në rrjetin social “Facebook”.

Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi se dy personat nga Malisheva, pozitiv me COVID-19 të cilët u raportua se gjatë së premtes shitën fidane në fshatin Krushë e Madhe kanë qëndruar për 48 orë në Gjakovë.

Kështu ka njoftuar prokurorja kujdestare e Prokurorisë së Gjakovës, Deshire Jusaj.

Jusaj ka thënë se në stacionin policor nuk kanë pasur informacione se të dyshuarit kanë qenë pozitiv me COVID-19.

Po ashtu, ajo ka thënë se këta dy persona kanë shfrytëzuar rrugë alternative për të dalë nga Malisheva, e cila është në karantinë e tëra.

“Jam njoftuar nga Policia dhe kemi kërkuar ndalim për 48 orë. Pastaj Policia e Rahovecit në bashkëpunim me atë të Malishevës janë marrë me rastin. Në fillim nuk kemi qenë në dijeni që ata dy qytetarë kanë qenë pozitivë, në fillim i kemi ndalu për 48 orë, e pastaj me rastin nuk jam marrë unë. Qytetarët e Malishevës edhe pse kanë qenë në karantinë, ata kanë shfrytëzuar rrugë të tjera për dalje. Po besoj që sigurisht mjekët kanë marrë masa për ata dhe për njerëzit që kanë pas kontakt me ata”, ka thënë Jusaj.

Ajo ka shtuar se të dyshuarit janë mbajtë në qendrën e ndalimit në stacionin e Gjakovës. Sipas prokurores qendra e ndalimit është dezinfektuar dhe është e sigurtë.

Që nga 13 marsi kur në Kosovë është shënuar rasti i parë me coronavirus, deri më sot janë shënuar 145 persona me coronavirus, 23 të shëruar dhe 3 të vdekur.