Artistja kosovare i shndërron pabarazitë e punës së pasluftës në skulptura për Bienalen e Venecias

Doruntina Kastrati thotë për BIRN se do ta përshkruajë feminizimin e punës së pasluftës në Kosovë në ekspozitën e saj të skulpturës abstrakte në Bienalen e 60-të të Artit të Venecias.

“Gjithmonë kam pasur dëshirën për t’i dhënë një formë, dimension, ngjyrë dhe funksion materialeve dhe madje edhe objekteve rreth meje”- thotë për BIRN Doruntina Kastrati, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e 60-të të Artit të Venecias.

33 vjeçarja Kastrati, e pranon se nuk e mban në mend saktësisht momentin kur e përqafoi identitetin e saj si artiste, dhe shton: “Unë thjesht vazhdova t’i përgjigjem kësaj gjendjeje shpirtërore, kësaj ndjenje, në mënyrën më të natyrshme të mundshme”.

Instalacioni i skulpturës së Kastratit, “Heshtjet që jehonë nga metali dhe lëkura”, do t’i eksplorojë pabarazitë e feminitetit të punës dhe në vendin e punës në Kosovë gjatë periudhës së tranzicionit ekonomik që ka ndodhur pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ky instalacion do të prezantohet në Museo Storico Navale në Bienalen e Venecias, nga prilli deri në nëntor 2024.

Duke e bërë të ditur pjesëmarrjen e Kastratit në fillim të dhjetorit 2023, Bienalja e Venecias shpjegon se, “përmes praktikës së saj kërkimore dhe artistike, Kastrati është e fokusuar në trupin dhe në marrëdhëniet e saj me pushtetin biopolitik, duke trajtuar shpesh çështje sociale dhe politike të punës në kontekstin global”.

Doruntina Kastrati

Frymëzuar nga e kaluara

Subjekti i ekspozitës së skulpturës së Kastratit është puna e përditshme dhe përsëritëse e “gruas punonjëse në një fabrikë që prodhon ëmbëlsirë turke”, duke e përdorur këtë për ta eksploruar tranzicionin ekonomik të Kosovës së pasluftës dhe për të ekzaminuar punën e feminizuar jo të emancipuar.

Kastrati, e cila ka lindur në Prizren, por është zhvendosur në Prishtinë në vitin 2011 për të studiuar grafikë në Fakultetin e Arteve, shpjegon se skulpturat e saj e portretizojnë “tranzicionin ekonomik të viteve të pasluftës e deri më sot në fokusin e punës së feminizuar”.

Puna e feminizuar pas luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 “ishte gjithçka tjetër veçse emancipuese”, thotë Kastrati, duke shtuar se ajo dhe kuratorja Eremire Krasniqi i kanë vërejtur pabarazitë në vendin e punës dhe, pashmangshmërisht, tjetërsimin që rezulton nga e gjithë kjo situatë.

Pas luftës, ekonomia e Kosovës ishte kaotike, duke e pasqyruar situatën në shumë vende postkomuniste, duke përjetuar deindustrializimin dhe kolapsin e tregut konvencional të punës.

Kjo çoi në shfaqjen e mundësive në industritë e lehta, të cilat prodhuan një kërkesë për një forcë punëtore të përbërë kryesisht nga gra të papaguara.

Megjithatë, “Feminizimi i fuqisë punëtore në industritë e lehta, larg nga të qenit emancipues, i ka përjetësuar rolet tradicionale gjinore, duke ofruar pak ose aspak perspektiva për avancim, duke i lënë gratë ekonomikisht të brishta dhe të margjinalizuara politikisht”- thuhet në njoftimin për shtyp nga Bienalja e Venecias.

“E konsideroj si sfiduese të mos frymëzohesh, ose më saktë, të ndikohesh nga e kaluara”- shprehet Kastrati.

“Jetët tona aktuale janë formuar në mënyrë të pashmangshme nga kujtimet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të përvojave tona të së kaluarës. Personalisht, në një farë mase, jam e vetëdijshme për ngjarjet dhe takimet historike që synoj t’i trajtoj, duke i përfshirë herë pas here në përpjekjet e mia artistike. Njëkohësisht, vetëdija jonë shpesh ndërthuret me punën tonë pa e kuptuar as ne”- shpjegon ajo.

Përqafimi i shqisave në artin abstrakt

Kastratit iu desh pak kohë për ta përqafuar plotësisht stilin e saj artistik, duke u gravituar përfundimisht drejt artit abstrakt. Ndërkohë që studimet e saj universitare fillimisht u përqendruan në teknikat grafike, ajo e gjeti veten të paaftë për ta shprehur vizionin e saj artistik përmes tyre.

Në janar të vitit 2015, Kastrati fitoi një bursë në studion ICSP në Nju Jork, pasi fitoi çmimin vjetor ‘Artists of Tomorrow’ në Kosovë. Duke reflektuar mbi këtë përvojë, ajo pranon ndikimin e saj të thellë në rrugëtimin e saj artistik, edhe një dekadë më vonë.

Vepra artistike e Kastratit thellohet në tema sociale dhe politike të manifestuara shpesh në forma abstrakte. Pjesëmarrja e saj në Bienalen e 14-të European Nomadic Biennial Manifesta në Prishtinë, shfaqi instalacionin e saj të titulluar “Ring the Bells My Land” në Grand Hotel, i përshkruar nga Bienalja si një “version post-njerëzor i planetit tonë”.

“Me hyrjen në mjedisin e saj, e karakterizuar nga krijesa të ngjashme me një dhi që kullos dhe një pjate të vetmuar satelitore, ndjesia e rrënojave teksa kërcasin nën këmbët e tjetrit dhe shikimi i peizazhit të qytetit përmes dritareve e transporton me shpejtësi vëzhguesin në një interpretim pas-njerëzor të planetit tonë. Është një ‘ishull i braktisjes’, që të kujton pjesë të ndryshme të Prishtinës, duke përfshirë edhe vetë Hotelin Grand”- thuhet në uebsajtin e Manifesta, duke e ilustruar instalacionin e Kastratit.

“Mjediset e saj pas-njerëzore në veçanti na ftojnë të reflektojmë mbi zhvillimin urban dhe kalbjen – dhe bashkëfajësinë tonë në proceset që i shtyjnë ato”- shpjegon Manifesta.

“Peizazhet e saj pas-njerëzore, në veçanti, na shtyjnë të reflektojmë mbi zhvillimin urban dhe prishjen urbane – dhe rolin tonë në proceset që i shtyjnë ato”- shtjellon tutje Manifesta.

“Gjuha artistike figurative me të cilën shprehem është e një forme më abstrakte”- thotë Kastrati, duke shpjeguar se megjithatë, në Bienalen e Venecias këtë vit, materiali më i detajuar i përdorur për skulpturat që janë në proces të prodhimit, për ta sjellë konceptin në jetë, arrijnë të sjellin në jetë instalacionin në tërësi.

“The Echoing Silences of Metal and Skin është një instalacion skulpturor, por ka edhe tinguj, të kompozuar posaçërisht për secilën skulpturë, të cilat në të njëjtën kohë i aktivizojnë ato”- thotë ajo.

Duke e nderuar profesionalizmin e ekipit të saj, ajo konkludon: “Kemi arritur të krijojmë një identitet vizual për këtë edicion dhe po punojmë për dizajnimin e hapësirës së pavijonit”.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight