Si vendosi Doruntina Kastrati për të marrë pjesë si artiste në Bienalen e Venedikut vetëm me gra?

Në pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, janë 5 gra, të gjitha nga Kosova.

Artistja Doruntina Kastrati ka treguar arsyen që qëndrojnë mbrapa zgjedhjes së këtij grupi për në Bienalen e Venedikut.

“Pavioni kurohet nga Ermirë Krasniqi, komisionere është Hana Halilaj, e kemi Majlinda Hoxhën e cila është në rolin e fotografes, fabrikës, portreteve tona, kemi Rina Metën e cila është koordinatore e komunikimit lokal, dhe Nita Salihu–Hoxha që është pjesë e dizajneve që për neve është fantastike me punu me të gjithë këtë aset të grave të cilat janë lokale”, – thotë Doruntina Kastrati në Kallxo Përnime.

“Unë e kam ditë pak a shumë për idenë të cilën kam dashtë me punu, për me zhvillu këtë ide kam pasur nevojë për bashkëpunim. Duke qenë se këto rrëfime të cilat i kam dëgjuar, vijnë prej nanës, vijnë prej kolegeve të saj, janë pjesë e temave në shtëpi, Ermirë Krasniqi është e vetja që kish pasë mundësi me e pru punën në këtë nivel, në aspektin kuratorial”, – thotë ndër tjerash Kastrati.

Si erdhi ideja e emrit të skulpturës ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’?

“Unë i prodhoj 4 skulptura, munden mu pa edhe 5, kanë një bashkëpunim edhe muzikalitet që i vendoset në pjesën e një platforme e cila do të ndërtohet për t’i mbajtur këto skulptura. Gjatë shtjellimit të konceptit kam vendosur me punu me skulptura që kanë formën e arrave, që është fruti kryesor për prodhimin e llokumit, edhe në këtë formë, qysh e kam sjell, e ka një qëndrim që i tejkalon përmasat e njeriut dhe prodhohen në alumin, dy prej skulpturave të tjera, e marrë implantin metalik të gjurit që vendoset, kur gjuri kur ka telashe. Shumë gra të cilat kanë punuar në këtë fabrikë të llokumit, kanë kaluar nëpër këtë operacion pra të implantit të gjurit”, – ka thënë Kastrati.

‘Në shtëpinë tonë, asnjëherë llokumi se ka pasur shijen e ëmbël’

“As llokumi, po as ato që i servirim nëpër festa nuk e ka ëmbëlsinë dhe kjo tentohet të tregohet nëpërmes skulpturave, në momentin që t’i ulësh brenda atyre skulpturave, është ideja që ti të përjetosh atë ftohtësinë e atij metali, momentin kur je në kontakt me skulpturën”, – thotë ajo.