Greva, Foto: KALLXO.com

Rigjykimi për terrorizëm, dështon seanca për shkak të grevës

Rigjykimi ndaj Leonis Frangut, i ngarkuar me vepër penale të terrorizmit ka dështuar të mbahet dje (e enjte).

Prokuroria Speciale e ngarkon Frangun për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste.

Të enjten ishte paraparë të mbahej seanca në këtë rigjykim, por është shtyrë për shkak të grevës së stafit administrative të gjykatës.

Tash e disa javë ka nisur greva e stafit administrativ në gjykata, me kërkesën për apizmrovimin e Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive.

Leonis Frangu ishte liruar për herë të dytë nga Gjykata e Prishtinës, nga vepra penale “Pjesëmarrje në terrorizëm”.

Gjykata e arsyetoi vendimin duke thënë se në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale nuk kanë qenë të regjistruara si organizata terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”.

Gjykata nuk ka arritur të gjejë se Leonis Frangu kishte marrë pjesë në ndonjërën prej këtyre organizatave.

Aktakuza e rëndon Leonis Frangun se më 3 nëntor 2014, pas një marrëveshjeje paraprake me Blerim Sylën, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kishin fluturuar drejt Stambollit e nga aty kanë shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër me kufirin me Sirinë, ku i ishin bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Gjykata e Prishtinës në shkurt të vitit 2018, kishte liruar Frangun nga akuza për veprën penale bashkim dhe pjesëmarrje në terrorizëm.

Kurse Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim për shkak se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vërtetuar në mënyre të plotë gjendjen faktike.

Për shkak të mungesës së stafit administrativ, seanca e radhës u caktua të mbahet për datën 13 maj 2022.