Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Rezoluta për mbështetje të Policisë, Kuvendi nesër mban seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar Propozim-Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Kërkesa për këtë draft – rezolutë është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Seanca pritet të mbahet nesër në ora 11:00.

Seancën e kaluar, PDK kërkuar që për diskutimin dhe miratimin e rezolutës, të ndryshohet rendi i ditës, në mënyrë që e njëjta të trajtohej si pikë e parë.

Mirëpo për ndryshimin e rendit të ditë kanë marrë pjesë në votim 89 deputetë, prej të cilëve vetëm 36 votuan pro, kurse 53 nga pozita abstenuan.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka bërë propozimin e rezolutës para deputetëve, duke thënë se kjo rezolutë përmban tri pika të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës hyn në një agjendë mbështetëse dhe po ashtu edhe Qeveria për Policinë e Kosovës.

“Përmes kësaj rezolute synojmë që ne si grup parlamentar i PDK-së në një afat prej dy jave të ia prezantojmë Kuvendit Ligjin për pensionim të parakohshëm për Policinë e Kosovës, po ashtu përmes kësaj rezolute do të kërkojmë që nga 1 janari i 2024-tës të buxhetohet një buxhet i mjaftueshëm për sigurimin shëndetësor për Policinë dhe e treta, që është një obligim institucional ndaj Policisë, të përmbushet obligimi sa i përket shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës”- kishte thënë Tahiri.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, ka diskutuar për situatën në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një rezolute, Kuvendi i Kosovës e ka dënuar me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar shtetin e Serbisë me rolin e saj në ketë rast.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

PDK-ja propozon draft-rezolutë për mbështetjen e Policisë së Kosovës, LVV-ja e kundërshton të bëhet para diskutimeve