Renovimi i stadiumit "Adem Jashari" në Mitrovicë, pritet të fillojë gjatë këtij muaji

Punimet në renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, pritet që të fillojnë gjatë këtij muaji.

Kjo është bërë e ditur në një takim të mbajtur sot mes kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të kryesuar nga Ibër Alaj, sekretar i përgjithshëm dhe Fitim Arifi, drejtori i Departamentit të Sportit.

Në njoftimin e Komunës është bërë e ditur se qëllimi i takimit ishte diskutimi për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për parcelat e stadiumit si dhe dakordimi i përbashkët në fillimin e punimeve për implementim të projektit.

Në këtë takim, Bahtiri ka theksuar se komuna e Mitrovicës përmes Kuvendit Komunal, ka marrë vendim që 24 parcela kadastrale përreth stadiumit, të shpallen me interes të përgjithshëm publik për realizimin e projektit të MKRS-së, në renovimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari”.

“Komuna do të punoj me një dinamikë të lartë dhe do të jetë në dispozicion që këto projekte të realizohen me standarde të larta duke iu mundësuar futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë gara vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Bahtiri.

Komuna ka njoftuar se projekti i stadiumit “Adem Jashari” në vlerë mbi 12 milionë euro, parasheh renovimin e tërësishëm të stadiumit, të ketë parking publik, parkingun për VIP, parkingun për media, park rekreativ, amfiteatër veror, fushat tjera ndihmëse si dhe hapësirën për tifozët mysafir.