Foto: Sky News

Refugjatët ukrainas në Poloni, larg rikthimit në atdhe

Ndërsa lufta në Ukrainë është në vitin e saj të dytë, mijëra refugjatë ukrainas po bëjnë plane për qëndrim afatgjatë në Poloni.

Zëri i Amerikës vizitoi një qendër refugjatësh të administruar nga sipërmarrës dhe organizata joqeveritare në rrethinat e Varshavës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, në këtë qendër kanë gjetur strehim të përkohshëm të paktën 1 mijë persona.

Kjo godinë në rrethinat e Varshavës shërbente dikur për panairet e biznesit. Që nga marsi 2022, ajo është shndërruar në qendër për refugjatët ukrainas. 60-vjeçarja Tayanna Lada ka jetuar këtu për mbi një vit tashmë.

“E kemi sjellë nga Zaporizhia lodrën e preferuar të maces sime, e cila quhet Kuzya”, thotë zonja Lada.

Macja Kuzya dhe një koleksion unazash argjendi janë të vetmet gjëra të çmuara që zonja Lada ka marrë me vete nga Zaporizhia. Ajo vendosi të largohet pasi forcat ruse bombarduan lagjen e saj.

“Një raketë ra pranë shtëpisë sonë. Ishte ora gati 5 e mëngjesit. Dhe në parim, nuk është e frikshme të vdesësh. Është e frikshme të gjymtohesh”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Qendra e refugjatëve ku ajo jeton tashmë është private. Qendra financohet nga sipërmarrës polakë dhe ukrainas, dhe organizata joqeveritare. Këtu, zonja Lada ka rreth 1 mijë fqinjë, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë. Të gjithë jetojnë së bashku në një sallë të madhe.

Fillimisht, krevatët ishin ngjitur me njëri-tjetrin. Disa muaj më parë, u vendosën ndarëse prej kompensate. Kjo është e vetmja privatësi për refugjatët, pasi dyert dhe muret janë të ndaluara për shkak të rrezikut të zjarrit.

“Kjo është shtëpia jonë tashmë, ndoshta për një kohë të gjatë”, thotë zonja Lada.

Në qendër ka makina larëse për rrobat dhe dushe. Një sallë ngjitur shërben si mensë.

Olena Kondratiuk, e ardhur nga Vinitsia, është përgjegjëse për përgatitjen e ushqimit.

“Tre nga pjesëtarët e ekipit të kuzhinës janë nga Krimea dhe u larguan përmes territorit rus. Katër janë nga Donetsku, dy janë nga Zaporizhia. Nuk kanë se ku të kthehen pa mbaruar lufta”, thotë ajo.

Fillimisht, zonja Kondratiuk planifikonte të merrte një apartament me qera në Varshavë. Ajo pagoi për një dhomë kur ishte ende ne Ukrainë, duke harxhuar kështu paratë e fundit që i kishin mbetur. Por kur mbërriti në Poloni, telefonatave të saj nuk iu përgjigjën më pronarët e apartamentit. Në stacionin e trenit, vullnetarët i rekomanduan këtë qendër refugjatësh.

“Në kohën kur mbërrita, ishin dy salla të mbushura plot. Ishin krevatët ngjitur. Ishin rreth 2 mijë persona”, tregon Olena.

Tashmë ka më pak njerëz në qendër, por mund të vijnë rreth 40 persona në ditë. Të gjithë regjistrohen dhe u jepet një dokument i veçantë. Në vazhdim, u jepet krevati dhe pajisje shtëpiake. Shpeshherë, njerëzit mbërrijnë vetëm me sendet më të domosdoshme.

Për fëmijët është krijuar një shkollë e përkohshme.

“Në fillore kemi 23 nxënës, nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Ndjekim programin mësimor të shkollave ukrainase. Zbatojmë rregullat e punës siç i kemi mësuar në Ukrainë”, thotë refugjatja Inna Zakharchenko.

Ajo është mësuese dhe jeton në qendrën e refugjatëve. Së bashku me vajzën e saj, ajo u largua nga qyteti ukrainas Nova Kakhovka. Zonja Zakharchenko thotë se gjen ngushëllim tek mësimdhënia.

“Për mua, kjo është një mundësi për t’u ngritur nga shtrati. Pasi rashë në depresion, pata ndjesinë se jeta kishte mbaruar për mua”, thotë ajo.

Shumë nga banorët në këtë qendër kanë të njëjtën ndjesi. Vullnetarët mundohen t’i ndihmojnë për të gjetur një punë apo strehim më të mirë. Por shumica nuk ia arrijnë dot. Disa ëndërrojnë për kthimin në shtëpi, ndërsa të tjerë kanë pranuar se kjo mund të mos ndodhë kurrë./VOA