Reagimi i Komunës së Podujevës për blerjen e uniformave njëpërdorimëshe

Komuna e Podujevës ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar në KALLXO.com duke e quajtur tendenciozë, por nuk i ka kontestuar shumat e publikuara nga KALLXO.com që kanë qenë të bazuara në kontratat e nënshkruara që janë publikuara në Prokurimin Elektronik. KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Podujevës e ka paguar një uniformë njëpërdorimëshe 15 euro, kurse Komuna e Deçanit e ka paguar një uniformë vetëm 4 euro.

Komuna e Podujevës në reagimin e tyre thonë se edhe komunat e tjera kanë paguar me çmime të njëjta apo më të larta uniformat. Por, në dokumentet e bashkangjitura të komunave tjera nuk thuhet se janë uniforma njëpërdorimëshe.

Kjo komunë thotë se këto uniforma janë për ekipet mjekësore kujdestare në pikën kufitare në Merdare, për identifikimin e personave që hyjnë në Kosovë, të dyshuar me Covid-19.

“Bazuar në situatën pandemike blerja e pajisjeve është bërë me procedurë të negocimit dhe secila procedurë është zhvilluar në bazë të sistemit online dhe dokumentet janë të qasshme për publikun”, thuhet në reagimin e Komunës së Podujevës.

Komuna e Podujevës thotë se me çmime të njëjta, madje edhe më të larta pajisjet e njëjta janë blerë edhe në komuna të tjera.

“Në këtë situatë epidemiologjike me të gjitha kapacitetet tona jemi në nivelin e përgjegjësisë, andaj ftojmë të gjithë ata të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të ndihmojnë e kontribuojnë në çfarëdo forme, të paktën të pushojnë me propagandë e për qëllime të ulëta politike”, thuhet në reagimin e Komunës së Podujevës.

KALLXO.com është vazhdimisht duke raportuar për blerjet që janë duke i bërë institucionet e Kosovës për tu mbrojtur nga COVID-19.

Komuna e Deçanit paguan 4 euro dezinfektuesin 50ml dhe 8 euro maskën me filtër

Ky është reagimi i plotë i Komunës së Podujevës.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik ju njoftojmë se shkrimi i botuar në portalin kallxo. com me titull “Komuna e Podujevës paguan 15 euro për një uniformë njëpërdorimëshe”, është kryekëpyt tendencioz dhe i plasuar për motive të ulta politike.

Podujeva është komunë kufitare, ku gendet edhe pika e kalimit kufitar në Merdar, kurse pajisjet mbrojtëse, të përmendura në artikull, janë blerë për furnizim të ekipit mjekësor që kujdestaron në këtë pikë kufitare, për identifikimin e personave që hyjnë në Kosovë, të dyshuar me Covid-19.

Bazuar në situatën pandemike blerja e pajisjeve është bërë me peocedurë të negocimit dhe secila procedurë është zhvilluar në bazë të sistemit online dhe dokumentet janë të qasshme për publikun.

Për hir të korrektësisë ju njoftojmë se me çmime të njëjta, madje edhe më të larta pajisjet e njëjta janë blerë edhe në komuna të tjera, madje të udhëhequra nga partia, e cila këtë lajm e përdori për propagandë në kohë pandemie.

Në këtë situatë epidemiologjike me të gjitha kapacitetet tona jemi në nivelin e përgjegjësisë, andaj ftojmë të gjithë ata të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të ndihmojnë e kontribuojnë në çfarëdo forme, të paktën të pushojnë me propagandë e për qëllime të ulëta politike.

Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve llapjanë.

Bashkangjitur gjeni edhe dëshmi për furnizime me të njëjtin material nga tjera komuna Mitrovicë, Prizren dhe Fushë Kosovë”.