Ilustrim - Foto: Facebook/ Ministria ukrainase e Mbrojtjes

Raportohet për helmimin e gruas së udhëheqësit të inteligjencës së Ukrainës

Marianna Budanova, gruaja e udhëheqësit të inteligjencës së Ukrainës, Kyrylo Budanov, u helmua dhe mori trajtim në spital, konfirmoi një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase. Thuhet se ajo u sëmur pasi hëngri ushqim të mbushur me “metale të rënda”.

Tornadot ishin parashikuar për rajonin e Detit të Zi pas një stuhie që la të vrarë të paktën 14 njerëz dhe la më shumë se 2 milionë njerëz pa energji elektrike në Rusi dhe Ukrainë, përfshirë Krimenë e pushtuar.

Instituti për Studimin e Luftës, ISW, ka thënë se stuhia e detyroi Rusinë t’i kthente të gjitha anijet e saj detare dhe raketat bartëse në bazat e tyre dhe sugjeroi se kërcënimi i minave që lëvizin në Detin e Zi do të rritej sepse stuhia shpërndau fushat e minuara.

Ka pasur gjithashtu raporte se stuhia i ka dëmtuar hekurudhat në zonat bregdetare, gjë që mund të ketë një ndikim në aftësitë logjistike të ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar dhe në Ukrainën jugore, sipas ISW. Dëmi ndikoi në “ritmin e operacioneve ushtarake përgjatë vijës së frontit në Ukrainë”, por nuk i kishte ndalur plotësisht.

Senati i SHBA do ta fillojë shqyrtimin e legjislacionit që përfshin ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën që në javën e ardhshme, ka thënë të martën lideri i shumicës demokrate, Chuck Schumer, duke shtuar se një projektligj ndihme është i nevojshëm edhe nëse nuk ka marrëveshje me republikanët të cilët kërkojnë fonde të lidhura për sigurinë kufitare të SHBA.

Ukraina, Letonia, Estonia dhe Lituania thanë se ministrat e tyre të jashtëm do ta bojkotojnë një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Maqedoninë e Veriut të enjten dhe të premten, sepse ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, synon të marrë pjesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje anëtarëve të aleancës që të “qëndrojnë në kursin” që e mbështet Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus. “Është detyrimi ynë të sigurojmë që t’i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten”, tha Stoltenberg pas mbërritjes në një mbledhje të ministrave të jashtëm nga vendet e NATO-s në selinë e saj në Bruksel.

BE-ja ka rënë dakord t’i katërfishojë shpenzimet e saj për trajnimin e ushtarëve ukrainas, duke investuar afërsisht 200 milionë euro shtesë, ka raportuar AFP.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se mbështetja ushtarake dhe financiare për Ukrainën është me “rëndësi ekzistenciale” për Evropën. Në një fjalim në parlament, ai u citua nga AFP të ketë thënë se “Ne do të vazhdojmë me këtë mbështetje për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Kjo mbështetje është e një rëndësie ekzistenciale. Për Ukrainën… por edhe për ne në Evropë. Askush nga ne nuk dëshiron të imagjinojë se çfarë pasojash edhe më të rënda do të kishte për ne nëse Putini do ta fitonte këtë luftë.”/The Guardian