Ilustrimi: Wall Paper Flare

Raportime në media për arrestimin e një gjyqtari dhe një trajneri, Federata e Basketbollit del me njoftim

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar pas raportimeve në media për arrestimin e një gjyqtari dhe një trajneri.

Në reagimin e FBK-së është thënë se njoftojnë të gjithë opinionin sportdashës se është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media.

FBK ka thënë se kanë raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin.

Ata kanë thënë se sapo janë njoftuar me rastin, kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kanë marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar.

FBK tha se gjatë gjithë kohës kanë qenë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA.

“Federata mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë” – thuhet në njoftim.

Federata e Basketbollit tha se është institucioni i parë sportiv në vend që ka të angazhuar edhe Personin për Integritet, me mandat për të luftuar këto dukuri dhe të gjitha aspektet negative në basketbollin tonë, si dhe ka zhvilluar disa kampanja kundër dukurive negative në basketboll.

Në anën tjetër, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës ka njoftuar se sot realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone të ndryshme, në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

Zyrtarët policor të kësaj drejtorie kanë shoqëruar në stacione policore tre persona të dyshuar.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.

“Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – ka thënë ai.

Tutje Kelani ka thënë se pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura informacionet shtesë.

Krimet ekonomike arrestojnë tre të dyshuar në Prishtinë, Prizren dhe Pejë