Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair vizitë në Kosovë - 10.06.2024 - Foto: Facebook

Blair falenderon Osmanin e Kurtin për mikpritjen në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë pranuar nga një letër falenderuese të shkruar nga ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, pas vizitës së tij në Kosovë, më 10.06.2024 në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe. 

Dy letrat që ua ka dërguar ish-kryeministri Blair krerëve të shtetit, mbajnë datën 11.06.2024, një ditë pas vizitës së tij në Kosovë.

Në letrën e tij për presidenten Osmani, Blair përveç që e ka falenderuar atë për mikpritjen në Kosovë, ai po ashtu ia ka përmendur dhuratën që pranoi nga ajo.

“Isha shumë i nderuar ta pranoj gurin e kristaltë, i cili do të zërë vendin e krenarisë në parmakun tim, krahas atij që më dha presidenti Rugova” – i ka shkruar Blair presidentes Osmani.

Presidentja Osmani i ka dhuruar një gur kristali ish-kryeministrit Blair, në takimin e tyre të datës 10.06.2024.

Presidenca e Kosovës kishte bërë të ditur se presidentja Osmani me këtë veprim po e vazhdon traditën e ish-presidenti Ibrahim Rugova, i cili figurave të rëndësishme ndërkombëtare që takonte u dhuronte nga një gur kristali.

“Një gur kristali për mikun e madh të Kosovës Tony Blair, për të vazhduar traditën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Faleminderit familjes Rugova për përzgjedhjen dhe dhurimin e gurit!” – thuhet në njoftimin e Presidencës, më 10.06.2024.

Kurse, kryeministrit Kurti, Blair ia ka shprehur falenderimin për takimin që kanë zhvilluar së bashku, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

“Ishte një nder i vërtetë ta vizitojë Kosovën për të shënuar rastin e rëndësishëm të 25-vjetorit të çlirimit. Miqësia e popullit të Kosovës ka një vlerë të madhe për mua. E ardhmja e popullit të bukur të Kosovës është e ndritur dhe mezi pres që një ditë të kthehem përsëri” – thuhet në letrën e ish-kryeministrit Blair drejtuar Kurtit.

Ndërsa, kryeministri Kurti thotë se është nderuar nga letra “e përzemërt” e ish-kryeministrit britanik dhe se vizita e tij, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, i ka nderuar të gjithë.

“Mirënjohja e popullit të Kosovës për udhëheqjen tij 25 vjet më parë nuk njeh fund. Miqtë e Kosovës, sikurse Sir Tony Blair, janë miq të vërtetë dhe të vërtetës” – është shprehur Kurti, më 14.06.2024.

Blair madje ka shprehur dëshirën e tij që t’i takoj së shpejti të dy, kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani. 

Në vizitën e tij në Kosovë, Blair përveç takimit me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, ai është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama nga i cili pranoi edhe ‘Çelësin e Qytetit’.

Blair po ashtu u është adresuar me një fjalim deputetëve të Kosovës, më 10.06.2024, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të tij, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Në 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri” –  ishin fjalët e para të Tony Blair, gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës.

Blair tha para deputetëve se “bombardimet e NATO-s, 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë për këtë”- kishte thënë Blair.

Tony Blair ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar mes viteve 1997 dhe 2007 dhe kishte qenë një nga liderët botëror më të zëshëm në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontributi i tij për angazhimin e Aleancës Euroatlantike të NATO-s për bombardimin e caqeve serbe, ishte vlerësuar lartë nga qytetarët në Kosovë.

Për nderim të tij, pas luftës në Kosovë të paktën katër fëmijëve iu la emri Tonibler.

KALLXO.com ka kërkuar në makinën e kërkimit të emrit “Kërko Emrin” në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe aty figurojnë katër djem që mbajnë emrin Tonibler.

Toniblerët e Kosovës vijnë nga Gjakova, Mitrovica, Prishtina dhe Skenderaj.

Ndërsa, më 12.06.2024, në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Shtatorja u vendos në sheshin që mban emrin e ish-kryeministrit britanik dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.