Raporti: Hidrocentrali “Lumbardhi ll” nuk ndërtoi digën që i mundësoi të marr leje nga ana e ministrisë

Leja e ndërtimit për hidrocentralin (HC) “Lumbardhi II” dhe digën është lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe pse HC “Lumbardhi II” është me kapacitet më të vogël se 20 megavat.

Përfshirja e digës në leje të ndërtimit ka mundësuar që leja të lëshohet nga Ministria. 

Kështu thuhet raportin e grupit punues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Në raport thuhet se, diga që ishte përfshirë në lejen e ndërtimit dhe kishte mundësuar marrje të lejes nga ana e ministrisë, nuk është ndërtuar fare.

Tutje në raport theksohet se, në HC “Lumbardhi II” janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendimin për leje ndërtimore.

Në skemën për këtë hidrocentral është gjetur se akumulacioni i paraparë me raportin e vlerësimin (VNM) te ndikimit në mjedis nuk është ndërtuar fare.

Raporti potencon se, lokacioni “Zalli i Rupës” është degraduar skajshmërisht si rezultat i eksploatimit të zhavorrit nga ana e poseduesit të lejes ndërtimore. Operatori këtu ka operuar në këtë lokacion në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit të VNM-së nr. 03/L-214, dhe neni 31 të Ligjit mbi Mbrojtjen e Mjedisit nr. 03/L-025. 

Po ashtu, rruga për në këtë lokacion ka shembje të dheut si rezultat i punimeve, gjë që paraqet vështirësi të kalimit në këtë pjesë të rrugës, thuhet në raport

Përpos gjetje të lartpërmendura, grupi punues thekson se shtegu i peshqve nuk është i zbatuar në mënyrën e duhur.

Gjithashtu,  ndërtesa e hidrocentralit është ndërtuar në pronën ujore. 

Në Lumbardhin e Deçanit ka funksionuar hidrocentrali i Lumbardhit (Kozhnjerit) prej vitit 1957 me kapacitet (fuqi instaluese) prej 8.5 MW. Ky hidrocentral pas luftës (në vitin 2004) është dhënë me kontratë lizingu në shfrytëzim kompanisë Triangle për periudhë 20 vjeçare. 

Në ndërkohë, prej vitit 2009, ky hidrocentral ka filluar të operohet nga Kelkos Energy sh.p.k. bazuar në marrëveshje në mes të palëve.

 Me studimin e para-fizibilitetit të vitit 2006 të financuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, ishte identifikuar potenciali edhe për 2 HC-e në Lumbardhin e Deçanit: Hidrocentrali Deçan me kapacitet prej 8.3 MW dhe Hidrocentrali Belle (Belaje) me kapacitet 5.2 MW. 

Vlera parallogaritare për financimin e këtyre dy HC-eve me studim te parafizibilitetit ishte vlerësuar në rreth 11 milion EUR (6.31 milion Deçani dhe 4.97 milion Belaja). 

Në vitin 2011, Kelkos Energy kishte bërë rivlerësimin e potencialit energjetik të Lumbardhit dhe rivlerësimin e kostove dhe kishte arritur në përfundim se mund të ndërtohen 3 HC-e të reja (jo dy sa ishte paraparë me studimin e para-fizibilitetit).

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë në një intervistë në KallxoPernime se raporti i hartuar lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend sugjeron që atyre që nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet leja e punës.

MIAPH ka krijuar një komision i cili ka hartuar raportin dhe rekomandimet lidhur me hidrocentralet.

“Raporti për hidrocentralet është pranuar dhe janë edhe rekomandimet për tipin e hidrocentraleve dhe japin rekomandim që hidrocentralet të cilat nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet puna”, ka thënë ai.

Pas këtij raporti që e ka pikëvështrim mjedisin kemi marrë opinion ligjor lidhur me pasojat ligjore.

Ai ka thënë se ato që nuk kanë leje mjedisore do të ndërpriten.

Aliu ka thënë se njëri prej rekomandimeve të raportit është që të ndalohen ato hidrocentrale që e shfrytëzojnë ujin nëpër gypa.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, ka thënë ai, 16/17 prej tyre do të ndalin punën deri sa të pajisen me leje mjedisore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.