Foto: MD

Nis hartimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka filluar punën për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

MD-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e këtij projektligji.

Sipas njoftimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke theksuar nevojën e domosdoshme për hartimin e këtij projektligji, theksoi se institucionet janë vonuar në drejtim të kompletimit të pakos ligjore kundër korrupsionit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Sipas ministres së Drejtësisë, ky rregullim nuk ka treguar apo dëshmuar sukses në luftimin e pasurimit të paligjshëm pasi që aktualisht me legjislacionin në fuqi në çdo rast kushtëzohet konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes aktivitetit kriminal me zhvillimin e procedurës penale që ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale, gjë që paraqet pengesë juridike që krimi i organizuar të luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se gjatë fjalimit të saj para anëtarëve të Grupit punues, ministrja Haxhiu është zotuar se  do jetë në përkushtim të plotë për të jetësuar forcimin dhe zbatimin e ligjit.