Raporti: Ndërtesat e hidrocentraleve “Deçani” dhe “Belaja” janë ndërtuar brenda zonës së mbrojtur të Manastirit të Deçanit

Ndërtesat e hidrocentralit “Deçani” dhe atij “Belaja” janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, që është shkelje e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Kështu thuhet në raportin e Grupit Punues të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis.

Leja e ndërtimit për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja”, të dyja me kapacitetin e planifikuar nën 10 megavat (“Deçani” 8.2MW ndërkaq Belaja 9.3MW) do të duhej të lëshoheshin nga Komuna (sipas Ligjit për Ndërtim nr. 2004/15).

Megjithatë, për këto dy hidrocentrale është lëshuar një leje e ndërtimit nga Ministria (ZSP-321/2012, datë 7/05/2012) me praktikën e njëjtë siç janë lëshuar lejet urbanistike sepse kështu të bashkuara kapaciteti i tyre është nën 20 megavat.

Arsyetimi dhe motivet e lëshimit të një leje për dy hidrocentraleve janë të pasqaruara. Megjithatë, bashkimi i dy HC-eve (“Deçani” dhe “Belaje”) në një leje, duke pasur parasysh se secila prej tyre ka kapacitet më të vogël se 10MW, ka mundësuar lëshimin e lejes nga MMPH (pasi që për HC-e nën 10 megavat lejet i lëshojnë Komunat).

Sa i përket skemës për këto dy hidrocentrale, në raportin e grupit punues thuhet se shtegu i peshqve nuk është zbatuar në mënyrën e duhur.

Po ashtu, traseja e tubacioneve shtrihet nëpër sipërfaqe publike.

Ndërtesat e këtyre dy hidrocentraleve janë të ndërtuara në pronë ujore, theksohet tutje në këtë raport.

Ndërsa, përgjatë rrugës janë vendosur kabllot e tensionit të lartë 35 kilovat mbi gypat e ujësjellësit, gjë që e vështirëson mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe përbën rrezik për jetën e punëtorëve që punojnë në mirëmbajtjen e këtyre gypave.

Grupi punues rekomandon që t`i rishikojë projektimin dhe monitorojë funksionimin e shtigjeve të peshqve dhe regjimit të aluvioneve në të gjitha veprat ujëmarrëse për të tri HC-et, bashkë me atë të “Lumbardhi ll”.

Rekomandim tjetër është, ta kryejë incizimin gjeodezik të shtratit të lumit dhe të i identifikojë të gjitha ndërhyrjet në regjimin e rrjedhjes së ujit si rezultat i punimeve në skemat e hidrocentraleve.

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë në një intervistë në KallxoPernime se raporti i hartuar lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend sugjeron që atyre që nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet leja e punës.

Ministria e Mjedisit ka krijuar një komision i cili ka hartuar raportin dhe rekomandimet lidhur me hidrocentralet.

“Raporti për hidrocentralet është pranuar dhe janë edhe rekomandimet për tipin e hidrocentraleve dhe japin rekomandim që hidrocentralet të cilat nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet puna”, ka thënë ai.

Pas këtij raporti që e ka pikëvështrim mjedisin kemi marrë opinion ligjor lidhur me pasojat ligjore.

Ai ka thënë se ato që nuk kanë leje mjedisore do të ndërpriten.

Aliu ka thënë se njëri prej rekomandimeve të raportit është që të ndalohen ato hidrocentrale që e shfrytëzojnë ujin nëpër gypa.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, ka thënë ai, 16/17 prej tyre do të ndalin punën deri sa të pajisen me leje mjedisore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.