Ramush Haradinaj e kundërshtonte, ministrja e tij e quan "arritje të madhe" marrëveshjen e sotme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaspores, Meliza Haradinaj – Stublla, e ka quajtuar arritje të madhe marrëveshjen e sotme të nënshkruar në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi bërë arritje të mëdha në dialogun të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli i Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Trump, është i pazëvendësueshëm në forcimin e shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar ajo në facebook.

Ajo thotë se marrëveshja dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve e qartëson se Kosova është shtet i pavarur e sovran.

Gjatë ditës, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, parti nga e cilavjen Meliza Haradinaj, ishte shprehur kundër nënshkrimit të marrëveshjes ndërsa ka kundërshtuar përfshirjen e Ujmanit në këtë dokument.

Postimi i plotë i saj:

Kosovë e dashur,

Kemi bërë arritje të mëdha në dialogun të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli i Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Trump, është i pazëvendësueshëm në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Drejtimi i ri që po merr Kosova dhe Ballkani, me marrëveshjen tonë dypalëshe me SHBA-të, qartëson të ardhmen tonë si shtet i pavarur e sovran, zgjeron mundësitë e prosperitetit ekonomik, dhe ridrejton energjitë në konsolidimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Falënderime vëllazërore për të Deleguarin Special Grenell, që duke qenë në komunikim me kryeministrin Hoti dhe kryetarin Haradinaj, arritëm bashkë t’i akomodojmë komentet dhe shqetësimet tona në përmirësimin e kualitetit të marrëveshjes.

Për Kosovën po fillon një kapitull i ri ndërkombëtar. Urime!

Zoti e bekoftë Kosovën

Zoti e bekoftë Amerikën