Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Rama thotë se Kurti ka pranuar propozimin e BE-së drejt një zgjidhjeje për Asociacionin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Kosova e ka pranuar propozimin e Bashkimit Europian për të përparuar drejt një zgjidhjeje lidhur me Asociacionin e  komunave me shumicë serbe, “përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese”.

Përmes një postimi në platformën X, Rama ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, pa ia përmendur emrin.

“Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe”- ka shkruar Rama.

Sipas tij udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht.

“Pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve”- ka shkruar tutje ai.

KALLXO.com ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të marrë një përgjigje nëse është pranuar plani i 5-qes evropiane, dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot në Bruksel kanë zhvilluar takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe emisarin për dialog Miroslav Lajçak.

Pas këtyre takimeve nuk ka pasur ndonjë deklaratë për media.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.