Rama në Spanjë flet për sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian në Spanjë.

Ai atje ka folur edhe për situatën e fundit të krijuar në Kosovë, ku një grup terrorist kreu sulm ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Rama u deklarua për masat që Bashkimi Europian ia vendosi Kosovës, duke thënë se për herë të parë në dhjetë vitet e fundit Shqipëria nuk është rreshtuar me deklaratën e politikës së jashtme të BE-së pikërisht për faktin se BE kla masë ndaj Kosovës por jo Serbisë.

“Vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli zi kombëtare për anëtarët e grupit kriminal paramilitar që vrau një polic, mjaftoi që BE-ja të qëndronte dhe të thoshte se kjo nuk është evropiane, kjo nuk është e pranueshme.. dhe kjo është e dënueshme” – tha Rama.

Tutje ai shtoi se veprimtaritë kriminale në atë pjesë ku jeton më së shumti minoriteti serb tani janë kompletuar me një agjendë politike dhe me shumë nacionalizëm, sipas tij kjo është shumë e rrezikshme.

“Lufta është një fjalë e madhe, por para se të jetë vonë duhet të merren masa. Është e rëndësishme që të ketë një vullnet dhe lëvizje shumë të fortë brenda NATO-s për të forcuar misionin e KFOR-it në veri sepse kufiri atje është bërë plotësisht poroz dhe jo transparent dhe të gjitha llojet e armëve, të gjitha llojet e trafikimeve të tjera kriminale ndodhin dhe në të njëjtën kohë ne shpresojmë shumë që dialogu të rifillojë” – shtoi i pari i Qeverisë së Shqipërisë.

Rama për situatën në veri të Kosovës ka folur disa herë, madje ai kërkoi që për sigurinë e veriut të Kosovës të vendoset misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që ai kishte zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Lidhur me ketë çështje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur homologut të tij shqiptar.

Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga.ba” ka thënë se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in por jo të ndryshohet protokolli sipas të cilit Policia është reaguesja e parë.

Mëngjesi i 24 shtatorit zbardhi në Banjskë me një sulm terrorsit që u krye, e që la të vrarë një pjestarë të policisë, rreshterin Afrim Bunjaku.

Që nga ajo ditë, zyrtarë policorë janë duke vazhduar të monitorojnë situatën në këtë zonë e madje edhe janë duke i vazhduar hetimet policore me qëllim të zbardhjes së sa më shumë detajeve e gjetjes së dëshmive të tjera për këtë rast.

Në pjesën ku u sulmua policia e edhe në zonën afër Manastrit të Banjskës ditët e para qëndruan Njësitë Speciale Operative, e këto njësi pas qetësimit të situatës dhe uljes së rrezikshmërisë tash e tri ditë janë zëvendësuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist që ndodhi në këtë fshat e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai bashkë me pjestarë të tjerë të grupit pas sulmit që kryen ikën në drejtim të Serbisë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ky grup ka më shumë se 90 pjesëtarë, ku sipas policisë deri më tani janë identifikuar më shumë se 30 prej tyre.

Radoiçiq u ndalua nga organet e drejtësisë në Serbi. Prokuroria e Lartë në Beograd kërkoi nga ana e gjykatës që ndaj tij të vendoset masa e paraburgimit.

Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Gjykata në Beograd e liroi atë nga ndalimi e ndaj tij mori disa vendime, përfshirë këtu edhe ndalimin për të hyrë në Kosovë.

Nga veprimet hetimore që u kryen nga PK u gjet një arsenal i madh armatimi në zonën e Banjskës.