Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama: Na vjen keq për Serbinë, por mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Shqipëria do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht kushtëzimit serb.

Kështu deklaroi kryeministri Rama pas takimit informal me liderët e rajonit të zhvilluar në Bruksel.

“Jemi shumë të qartë, nuk kemi asnjë ekuivok. Jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap. Por kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna te normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi, në aspektin ekonomik, të lëvizjes me Serbinë, paralelisht me betejën diplomatike për dialog, sepse besojmë se kjo është rruga. Nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nnga organet legjitime të Kosovës që kanë qasje krejt tjetër”, tha Rama.

“Por kur vjen puna te demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, jemi 100% me Kosovën, Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe. Na vjen keq për Serbinë në këtë hap, por ne mbështesim Kosovën”, ka thënë ai.

Rama foli edhe për nismën e Ballkanit të Hapur dhe tha se pret që shumë shpejt asaj t’i bashkohet edhe Mali i Zi, tashmë me një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviç.

“Është çështje kohe që do të na bashkohen të gjithë, sepse nuk ka ku shkon më. Sigurisht është humbje kohe për ata që refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Rama, raporton A2CNN.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ‘zbutur’ qëndrimin e tij për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai sot tha se Serbia do ta kundërshtojë këtë çështje në mënyrë paqësorë, ndërsa ditë më parë deklaroi se “Serbia do t’i tregojë dhëmbët”.

Sipas tij, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Rezolutën 1244.

“Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe pas dhjetë vitesh nëpërkëmbje të Marrëveshjes së Brukselit, kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Rezolutën 1244”, tha Vuçiq sot, raporton media serbe ‘Blic’.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Këshilli i Evropës.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)