Rama ironizon Kurtin: Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rritën poenat

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në një konferencë për media të premten doli para gazetarëve për të folur edhe njëherë rreth situatës së krijuar në veriun e Kosovës.

Rama, duke komentuar një ftesë të tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për takim tha se Shqipëria nuk është notere e politikës së Kosovës.

Ditë më parë, shefi i qeverisë shqiptare anuloi një mbledhje të përbashkët që ishte planifikuar me ekzekutivin kosovar në Gjakovë. Shkak, siç kishte thënë Edi Rama ishte situata në veri të vendit.

“Albini nuk e ka dashur ballafaqimin e drejtpërdrejtë për këtë temë sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rritën poenat, por mendoj që Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e një politike që ndjek Kosova, aq më tepër nëse Shqipëria quhet si vëllai i madh sepse unë mendoj se janë dy shtete të ndryshme” – tha Edi Rama.

Ai tha se është i angazhuar që të qetësoj situatën në veriun e Kosovës. Ndërsa komentoi edhe deklarimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës rreth anulimit të mbledhjes mes dy qeverive shqiptare.

“Detyrimi i joni është të themi të vërtetën në sy. Ne s’mund të jemi dakord për çdo gjë. Pastaj, propaganda se mbledhja (e dy qeverive) ishte për qytetarët. Si ishte për qytetarët, marrëveshjet që ishin gati mund të firmoseshin po njësoj pa nevojë të bënim një shfaqje sikur ishte një gjendje normale. Gjërat janë keq dhe unë po përpiqen të bëjë gjithçka që të shmang më të keqen” – tha ai para gazetarëve nga Kryeministria në Tiranë.

Edi Rama tha se nuk i vjen mirë kur dëgjon se kryeministrit të Kosovës i anulohen vizita tek homologet e tij, ndonëse nuk përmendi ndonjë detaj.

“Ju mendoni që mua më jep ndonjë kënaqësi fakti që unë s’jam dakord me Albinin në këtë temë dhe në këtë moment, Albinit nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapshtë vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve nëpër Evropë apo Amerikë? Përkundrazi, më duket e tmerrshme, e tmerrshme, apo programet e caktuara janë grirë të bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me Kosovën” – tha ai.