Rama: Edhe sot parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka paralajmëruar se edhe sot parashihet të ketë shira me intensitet të lartë.

Ai ka lutur qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe ka sugjeruar që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.

“Pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme, dolëm në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme” – tha Rama.

Ai shtoi tutje se pas konsultimeve me institucionet përkatëse, është krijuar shtabi i krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim.

“Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët” – tha i pari i kryeqytetit.

Tutje ai shtoi se siguria e të gjithëve është prioriteti kryesor i komunës, prandaj tha se janë në terren në çdo kohë.

Rama theksoi se për çdo problem, qytetarët mund të telefonojnë në numrat kujdestarë, pa pagesë, 080012233 dhe 080012244.