Rama: Hyrja në “Fan Zone” është falas, akuzat për pagesë janë të pasakta

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Beqiri, në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke hedhur poshtë pretendimet se arsye për këtë arrestim ka qenë mospagesa e 20 eurove për të hyrë në ‘Fan Zone’ për ta parë ndeshjen Shqipëri – Spanjë.

Rama ka deklaruar se hapësira në rrugën “Xhorxh Bush” për përcjelljen e lojërave të Kampionatit Europian, është pa pagesë, dhe se sipas tij, akuzat që hyrja ishte me pagesë janë të pasakta.

“Konfirmojmë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit. Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua”- ka shkruar Rama në Facebook.

I pari i kryeqytetit ka apeluar “për një trajtim të përgjegjshëm të informacionit dhe kultivimin e një mjedisi të shëndoshë komunikimi, të bazuar në fakte”.

“Prandaj, apelojmë për një trajtim të përgjegjshëm të informacionit dhe kultivimin e një mjedisi të shëndoshë komunikimi, të bazuar në fakte dhe transparencë. Dezinformimi nuk është në interes të qytetarëve”- ka theksuar Rama.

Asamblisti i LVV-së, Arianit Beqiri dhe një person tjetër janë arrestuar nga Policia e Kosovës, më 24.06.2024, nën dyshimin për prishje të rendit dhe qetësisë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.

Pas lirimit të tij, Beqiri në një postim në Facebook u shpreh se kishte refuzuar të paguajë 20 euro për të shikuar ndeshjen Shqipëri-Spanjë, në sheshin “Xhorxh Bush”.

“Sot, për ta parë ndeshjen e Kombëtarës, në shesh, duhej të paguheshin 20 euro. Ne protestuam kundër kësaj. U arrestuam, tash u liruam. Hapësira Publike do të mbrohet gjithmonë, në çdo mënyrë, me çdo kusht”- është shprehur Beqiri.

Ndërkaq nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, kanë thënë për KALLXO.com se do të analizojë videot për të verifikuar reagimin e zyrtarëve policorë gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së.

Arrestohet në sheshin e Prishtinës asamblisti i LVV-së, reagon Gëzim Sveçla