Rama e krahason rastin e Goran Bregoviqit me Dua Lipën

Pas trazirave të ndodhura mbrëmjen e djeshme dhe polemikave për performancën e Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Edi Rama u është përgjigjur të gjithë akuzave dhe polemikave me argumentin e një gazetare, shqiptare e Kosovës, që sipas tij e kanë thënë troç që artisti nuk ka lidhje me asnjë prej të zezave që i janë faturuar në Tiranë dhe Prishtinë.

“Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë”, ka shkruar ai.

Rama madje e ka krahasuar rastin e Bregoviqit me Dua Lipën, që serbët e fyenin në rrjete sociale.

“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit”, ka shkruar Rama.

Mbrëmë këngëtari serb Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës në Korçë ku u hodh gaz lotsjellës nga një person që u arrestua në mëngjesin e sotëm.