Albin Kurti dhe Dua Lipa Foto: Albin Kurti,

Dua Lipa bën thirrje për armëpushim në Gaza

Këngëtarja me fame botërore Dua Lipa ka bërë thirrje për një armëpushim në Gaza gjatë një interviste në revistën Rolling Stone.

Këngëtarja kosovare-britanike, albumi i dytë i së cilës ‘Future Nostalgia’ ka hyrë në listën e 30 albumeve më të mira europiane të shekullit të 21-të, është në kopertinën e numrit të shkurtit të Rolling Stone. Ajo ka folur për botimin për albumin e saj të ri të pritur me padurim dhe foli për pozicionimin e saj mbi luftën Izrael-Hamas, duke bërë thirrje për një “armëpushim humanitar”.

“Ekzistenca ime është disi politike, fakti që kam jetuar në Londër sepse prindërit e mi u larguan nga lufta”, thotë këngëtarja, e cila ka lindur nga prindër shqiptarë në Londër.

“Ndjej për njerëzit që duhet të largohen nga shtëpia e tyre. Nga përvoja ime e të qenit në Kosovë dhe të kuptuarit se çfarë bën lufta, askush me të vërtetë nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tij. Ata e bëjnë këtë për mbrojtje, për ta shpëtuar familjen e tyre, për t’u kujdesur për njerëzit përreth tyre, një gjë të tillë, për një jetë më të mirë. ”

“Ndjenjat e mia për njerëzit e zhvendosur (janë) shumë reale dhe të papërpunuara, dhe është një temë e vështirë për të folur sepse është kaq përçarëse,” shton ajo.

“Ndihem shumë keq për çdo jetë izraelite të humbur dhe atë që ndodhi më 7 tetor,” tha ajo për sulmet terroriste të Hamasit.

“Për momentin, ajo që duhet të shikojmë është se sa jetë kanë humbur në Gaza, civilë të pafajshëm dhe jetë që sapo po humbasin. Thjesht nuk ka mjaft liderë botërorë që po pozicionohen dhe po flasin për krizën humanitare që po ndodh, armëpushimin humanitar që duhet të ndodhë”, ka thënë Dua Lipa për Rolling Stone.

Lipa më parë i është bashkuar Jessica Chastain, Michael Stipe dhe Cate Blanchett në nënshkrimin e një letre të hapur drejtuar presidentit amerikan Joe Biden, duke bërë thirrje për një armëpushim dhe “për t’i dhënë fund bombardimeve të Gazës dhe lirimin e sigurt të pengjeve”.

Intervista trajton gjithashtu një incident të vitit 2021 ku ajo dhe të famshëm të tjerë u përballën me akuza për antisemitizëm për mbështetjen e çlirimit palestinez.

Në atë kohë, ajo shkroi në faqen e saj në Instagram se qëndronte në solidaritet me të gjithë njerëzit e shtypur dhe gjithashtu pati thënë se kundërshtonte të gjitha format e racizmit./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala