Dua Lipa duke performuar në natën e parë të "Sunny Hill Festival"2022. Foto:Emirjeta Vllahiu/BIRN

Festivali ‘Sunny Hill’ 2024, 'rikthimi i madh' në Prishtinë

Festivali “Sunny Hill'” i themeluar nga ylli kosovar me famë botërore Dua Lipa, do të rikthehet në verën e vitit 2024 vetëm në kryeqytetin e Kosovës, pa ndonjë edicion të dytë në Tiranë siç kishte ndodhur në edicionin e 2022.

Festivali ndërkombëtar i muzikës “Sunny Hill'”do të bëjë rikthim vetëm në Prishtinë nga 25.07.2024, deri më 28.07.2024, pas një pauze një vjeçare, si shkak i përgatitjeve të lokacionit në fshatin Bërnicë e Poshtme pasi procedurat burokratike për ndarjen e pronës nga Komuna e Prishtinës kishin penguar organizimin e festivalit.

Alban Kastrati, partner menaxhues dhe organizator i festivalit, tha për Prishtina Insight se edicioni i katërt do të mbahet vetëm në Prishtinë dhe nuk do të organizohet në kryeqytetin fqinj të Shqipërisë, Tiranë, si në vitin 2022.

“Ky edicion do të jetë shumë më masiv për nga numri i pjesëmarrësve dhe vetëm Prishtina do të jetë në fokus. Por gjithsesi, në hapësirën e re të festivalit, Sunny Hill do të mund të rritet shumë më shumë dhe ta realizojë gjithë potencialin e vet për tu bërë njëri ndër festivalet më të mëdha dhe interesante në Evropë”- tha Kastrati.

Zona e caktuar e festivalit, 17 hektarë e dhënë nga komuna është në periferi të Prishtinës, në fshatin Bërnicë e Poshtme, rreth 10 kilometra nga qendra e qytetit.

Kastrati shtoi se “me investimet e vetë festivalit po ndërtojmë një park publik për qytetarët”- i cili do të jetë në dispozicion për pjesën tjetër të vitit.

Festivali ‘Sunny Hill’ , Foto: Facebook

“Fillimisht kemi pastruar dhe rrafshuar terrenin dhe tani jemi në proces të peizazhit, mbjelljes së qindra pemëve dhe më pas elementeve të tjera të nevojshme”, shtoi ai.

Më 10 maj 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi pro dhënies me qira të “Sunny Hill” të një prone prej 17 hektarësh në Bërnicë të Poshtme për 99 vjet.

Vendimi ngjalli shumë reagime në publik dhe opozitën në Kuvendin Komunal lidhur me çështjet e transparencës.

Sipas kontratës, komuna nuk mund ta përdorë tokën për asnjë event tjetër 40 ditë para dhe 20 ditë pas mbajtjes së festivalit Sunny Hill.

Komuna mund të përdorë lokacionin për 60 ditë brenda vitit, për ngjarje si koncerte të muzikës klasike dhe xhaz, përfshirë festivalet e Filarmonisë së Kosovës. Këto ngjarje gjithashtu nuk duhet të kenë më shumë se 3,000 pjesëmarrës.

Opozita e Kuvendit të Prishtinës dhe OJQ-të  kishin kritikuar shumë mungesën e transparencës  në dhënien me qira të tokës për festivalin muzikor Sunny Hill.

Deklaratat nga qeveria në nivel lokal dhe qendror, përfshirë vonesat në dokumentacion, fillimisht  kishin shtyrë organizatorët ne 2022 ta zhvendosnin festivalin në kryeqytetin e Shqipërisë. Megjithatë, më vonë u kthye në Prishtinë pas ankesave nga mbajtësit e biletave për edicionin e Prishtinës dhe sepse qëllimi fillestar i festivalit ishte promovimi i Kosovës.

Nevoja për përgatitjen e infrastrukturës së lokacionit të ndarë nga Komuna e Prishtinës bëri që festivali të mos mbahet në vitin 2023.

“Këtë vit po përgatisim shtëpinë tonë të re dhe të përhershme. Një që siguron që pjesëmarrësit tanë të festivalit të përjetojnë asgjë më pak se më të mirën që ata presin dhe meritojnë”- thuhet në njoftimin zyrtar të festivalit të majit 2023.

Festivali Sunny Hill në Prishtinë. Foto nga kortezia e Festivalit Sunny Hill në Facebook.

“Ata meritojnë më të mirën absolute në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe vendin e festivalit dhe infrastrukturën e tij. Ne besojmë se nxitimi i procesit do të komprometonte cilësinë dhe thelbin e asaj që përfaqëson Sunny Hill Festival”- vijoi njoftimi.

Festivali i themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja me origjinë kosovare me famë botërore Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, është festivali më i madh muzikor në Kosovë, i cili synon ta vendosë Kosovën në hartë me një nga festivalet më të mëdha në Evropë.

Në vitin 2018, 2019 dhe 2022 është mbajtur në parkun e Gërmisë në kryeqytet, por për shkak të kufizimeve të kapaciteteve dhe shqetësimeve mjedisore ka pasur kërkesë që festivali të ketë vendndodhjen e tij.

Festivali në të kaluarën ka sjellë në Prishtinë yje të muzikës botërore si Miley Cyrus, Calvin Harris, Martin Garrix si dhe shumë këngëtarë vendas.

Sipas festivalit, që nga viti 2023, T.H.E Music Essentials renditet si një nga 5 festivalet më të mira për të ndjekur në Evropë.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.