Bujar Spahiu, Foto: Bujar Spahiu/Facebook

Bujar Spahiu rizgjidhet në krye të Komunitetit Mysliman në Shqipëri

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rizgjodhi kryetarin Bujar Spahiu për një mandat të dytë pesë-vjeçar, megjithë valën e kundërshtimeve nga një pjesë besimtarësh, sipas të cilëve, udhëheqja e këtij institucioni është kapur nga njerëz të organizatës FETO të klerikut Fetullah Gylen.

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman dëgjoi platformat mbi të ardhmen e këtij institucioni, si dhe pikëpamjet mbi çështje kryesore të kësaj bashkësie fetare, prej 3 kandidatëve nga Durrësi, Berati e Tirana, dhe rizgjodhi zotin Spahiu me 82 vota nga 92 anëtarë, që morën pjesë në votimin e fshehtë, ndërsa vetëm 2 prej tyre munguan në mbledhjen e sotme.

Ndërsa procedurat e mbledhjes së zakonshme dhe të votimit u cilësuan në përputhje me normat statutore, në mjediset e jashtme të Medresesë së Tiranës një grup besimtarësh protestuan me parrulla në duar kundër drejtuesve të këtij Komuniteti.

Në tabelat e tyre thuhej se gylensitët kanë pushtuar Komunitetin Mysliman dhe se FETO duhej ta linte të qetë këtë Komunitet.

Tubimi i tyre jashtë vazhdoi gjatë gjithë kohës, që zgjati mbledhja brenda Medresesë. Polemika dhe etiketime të tilla ka disa kohë që kanë nisur në gjirin e Komunitetit Mysliman, ndërsa gylenistët përmenden shpesh edhe në takimet zyrtare midis autoriteteve shqiptare dhe atyre turke./VoA