QNR me dinamikë po vazhdon procedimin e rezultateve të zgjedhjeve

Valmir Elezi zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar punën sipas procedurave të parapara.

Aktualisht sipas tij në këtë qendër janë duke u zhvilluar disa procese, të cilat janë të domosdoshme për t’u kryer në mënyrë që të KQZ-ja të bëjë të mundur shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar me procesimin e të dhënave nga formularët e rezultateve. Deri më tani, nga 2 mijë e 382 vendvotime, janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1,661 vendvotime apo rreth 70% si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1,324 vendvotime apo rreth 59%”, tha Elezi.

Po ashtu, ai tha se Qendra e Numërimit të Rezultateve (QNR) është duke vazhduar me skanimin e listës përfundimtare të votuesve, në të cilën janë nënshkruar votuesit në ditën e zgjedhjeve.

“Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 1,244 vendvotime apo rreth 53% e saj. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të na siguruar se nuk ka raste kur ndonjë votues ka marrë pjesë në votim në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”, shtoi Elezi.