QKUK

QKUK reagon pas lajmeve se pjesëtarë të stafit të Urologjisë janë infektuar me tuberkuloz

Disa media kanë raportuar më 05.03.2024 se disa punëtorë të Klinikës së Urologjisë janë infektuar me tuberkuloz dhe se po rrezikohet bartja e sëmundjes te pacientët.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka demantuar këtë lajm.

“Klinika e Urologjisë sqaron se informatat që po qarkullojnë në medie në lidhje me “infektimin e stafit me Tuberkuloz”, janë të pavërteta. Për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë të publikut, Klinika e Urologjisë, sqaron se asnjë nga infermierët e Klinikës së Urologjisë, nuk është i vërtetuar si i infektuar me Tuberkuloz bartës” – thuhet në komunikatë.

QKUK më tej ka thënë se në Klinikën e Pulmologjisë është e shtrirë dhe e verifikuar vetëm një infermiere me TBC të pleurës, që nuk është bartës te të tjerët.

“Po ashtu, sqarojmë se punëtorët e Klinikës së Urologjisë nuk punojnë me pacientë që janë të infektuar me tuberkuloz” – shton QKUK.

Megjithatë, QKUK thotë se mbi 80% e stafit në Urologji janë testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bashkë me koordinatoren nacionale kundër TBC në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk është vërtetuar asnjë rast me TBC bartëse.

Për të mos krijuar panik te pacientët, Klinika ka kërkuar nga mediat që të jenë të kujdesshme gjatë raportimit të tyre e të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara.