Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria themelon Këshillin Organizativ për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë

Në mbledhjen e sotme elektronike të  Qeverisë së Kosovës është marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ, për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, Këshilli përbëhet nga ministri i Kulturës, një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes; një nga Ministria e Jashtme; një nga Ministria e Brendshme dhe një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se janë ftuar që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe Zyra e Presidentes; Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së; Asosiacioni i Komunave të Kosovës dhe përfaqësues të OJQ-ve.