Qeveria s’ndan buxhet për vaksinat kundër COVID-19, synon ta luftojë pandeminë me donacione e kredi
Me 7.3 milionë euro Ministria e Shëndetësisë në Kosovë do të blejë vaksina kundër COVID-19 gjatë vitit 2022. Por këto të holla janë nga donacionet dhe kreditë e jo të ndara nga buxheti i Kosovës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë këto mjete janë paraparë nga donacioni i Komisionit Evropian dhe kredia e Bankës Botërore.
“Buxheti për vaksina është 5.5 milionë euro donacion nga Komisioni Evropian dhe 1.8 milionë euro nga kredia e Bankës Botërore”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për KALLXO.com.
Gjithashtu, nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar se kanë ndarë mjete edhe për blerjen e testeve dhe aparaturave për testimin e varianteve të reja të COVID-19, por që nuk kanë dhënë detaje rreth shumës.
“Ka përkrahje prej donatorëve dhe po ashtu ka edhe mjete të ndara për këtë çështje”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë.
Në buxhetin e vitit 2022 të kësaj ministrie nuk ka ndonjë linjë të veçantë buxhetore për blerjen e vaksinave.
Ky buxhet është votuar në Kuvend vetëm në lexim të parë.
Në buxhetin e vitit 2022, janë paraparë nga 1 milion euro për ndërtimin e QKMF-ve në Ferizaj e Istog dhe 910 mijë euro për ndërtimin e QKMF-së në Drenas.
Për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt në vitin 2022, nuk ka para shtesë por nga viti 2021 janë bartur 1.1 milion euro.
As për Spitalin e Podujevës nuk janë paraparë financa për ndërtimin e tij.
E njëjta ka ndodhur edhe me Spitalin e Prishtinës. Asnjë cent nuk është ndarë për ndërtimin e tij.
Për infrastrukturë dhe renovim të nyjeve sanitare nuk është ndarë buxhet për vitin 2022 por vetëm është bartur buxheti i vitit 2021.
Edhe për projektimin dhe ndërtimin e ndërtesës se re e Klinikës së Nefrologjisë dhe për renovimin dhe zgjerimin me mbindërtim të ndërtesës ekzistuese të Klinikes së Ortopedisë, nuk është paraparë buxhet për vitin 2022, por vetëm është bartur ai i vitit 2021.
Shuma prej 70 mijë eurove, është bartur nga viti 2021 edhe për pajisje mjekësore të reparteve të spitalit.