Komuna e Hanit të Elezit vonoi mbi 30 ditë pagesat për shërbime kontraktuese

Komuna e Hanit të Elezit gjatë vitit 2022 ka vonuar mbi 30 ditë pagesat për pesë shërbime kontraktuese.

Sipas raportit të auditorit për vitin 2022, pagesat kanë qenë për shërbime kontraktuese, për kompjuterë, për mirëmbajtjen e veturave, për mirëmbajtjen e auto rrugëve dhe karburant për vetura.

Gjersa afati ligjor për kryerjen e këtyre pagesave është deri në 30 ditë, kjo komunë i ka vonuar pagesat deri në 41 ditë e në disa raste edhe në 60 ditë.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Hanit të Elezit për vitin 2022.

Auditori ka gjetur se kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në menaxhimin dhe procesimin e pagesave.

“Në pesë pagesa për shërbime kontraktuese tjera, kompjuter më pak se 1,000€, mirëmbajtja e veturave, mirëmbajtja e auto rrugëve dhe karburant për vetura në vlerë totale 24,609€, kemi identifikuar vonesa në ekzekutimin e faturave përtej afatit të përcaktuar. Vonesat ishin nga 11 deri 60 ditë pas afatit të përcaktuar prej 30 ditëve” – thuhet në raportin e auditorit.

Auditori ka shpjeguar se mos pagesa me kohë e obligimeve financiare rritë rrezikun e ankesave apo padive të mundshme nga kontraktuesit, dhe kjo, sipas auditorit, mund të shkaktojë kosto shtesë financiare për Komunën.

Kësisoj, auditori ka shpjeguar se kryetari  duhet të sigurojë se obligimet financiare ndaj kontraktuesve të paguhen brenda 30 ditëve nga data e pranimit të faturave.