AGK: 2022, vit sfidues për gazetarët, u raportuan mbi 30 raste sulmesh

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK është shprehur mirënjohës ndaj të gjithë gazetarëve për punën e tyre gjatë vitit 2022.

Përmes një komunikate, AGK u shprehën se falë raportimeve nga secili vend, qytetarët janë informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u është mirënjohës për punën e palodhshme të të gjithë juve përgjatë vitit 2022. Falë raportimeve tuaja nga secili kënd i Republikës së Kosovës, qytetarët janë informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet nga greva, protesta e barrikadat, deri tek ngjarje që sollën ndjenjë kolektive gëzimi”- thuhet në njoftim.

Sipas AGK-së, në vitin 2022 u evidetuan mbi 30 raste të sulmeve të ndryshme ndaj mediave.

“2022 ka qenë një vit veçanërisht sfidues për sigurinë e gazetarëve, kameramanëve e foto-reporterëve, me mbi 30 raste të evidentuara sulmesh të formave të ndryshme”- thuhet më tej në njoftim.

AGK u shprehën falënderues dhe mirënjohës edhe për të gjithë kolegët që nuk ndaluan së raportuari edhe kur u tentuan të pengoheshin nga individë e grupe të caktuara të interesit.

Në njoftim po ashtu u potencua se këtë vit, AGK-së i janë shtuar edhe 13 kolegë ukrainas që kanë gjetur në Kosovë strehë dhe mundësi të vazhdimit të punës.