Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Qeveria në detyrë për emërimin e Lajçakut: Sllovakia të lëvizë drejt njohjes së Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës pas emërimit të Miroslav Lajçak si i dërguar i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se shpresojnë që Lajçak, në detyrën e tij të re, nuk do të përfaqësojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia, vend nga i cili vjen ai.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Qeveria në detyrë ka theksuar se shpresojnë se emisari do ta shtrijë  ndikimin e tij, ashtu që edhe Sllovakia të lëviz drejt njohjes së Kosovës, sikurse shumica e shteteve anëtare të BE-së.

“Ne kemi shprehur tashmë rezervat dhe skepticizmin tonë që dy zyrtarë të lartë të BE-së, përgjegjës për Dialogun Kosovë-Serbi, vijnë nga dy shtete mosnjohëse. Mirëpo, vendimin mbi përfaqësimin e BE-së në këtë proces nuk na takon neve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ekezkutivi kosovar është shprehur se është tejet e rëndësishme që dialogu të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, “i cili për qëllim ka një marrëveshje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”.

Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh.

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).

Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së negocioi, organizoi dhe mbikëqyrë referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në 2006 në emër të Bashkimit Europian.

Javë më parë, presidenti iKosovës Hashim Thaçi, ia parashikoi dështimin Lajçakut, pa ia përmendur emrin.

“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të historisë së tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO”, shkroi Thaçi në Twitter.

KALLXO.com, ka raportuar për rolin e diskutueshëm të BE-së përmes të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.