Roli i diskutueshëm i BE-së përmes të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë - Serbi

Bashkimi Evropian pritet të emërojë zyrtarisht një emisar të veçantë për bisedimet Kosovë-Serbi, si një angazhim të shtuar drejt rrugës për finalizim të një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet të dyja shteteve.

Tashmë duket si punë e kryer se për këtë pozitë do të emërohet ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ndonëse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Paralajmërimi i BE për të dërguar për herë të parë një emisar për dialogun Kosovë – Serbi, vjen në kohën kur ShBA po luan një rol aktiv në këtë proces, meqë përmes Richard Grenell, të dërguarit special të Presidentit Amerikan Donald Trump, tashmë janë nënshkruar tri marrëveshje ndërmjet palës kosovare dhe serbe që kanë të bëjnë me aviacionin, linjën hekurudhore dhe atë të autostradave.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, spanjolli Josep Borrell ka deklaruar se propozimi për përfaqësuesin special për dialogun Kosovë – Serbi, kërkon një përgatitje të caktuar, për mandatin dhe dokumentet përcjellëse.

Kurse, zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, thekson se mandati i përfaqësuesit special vendoset me një akt juridik të Këshillit të BE-së si organi më i lartë vendimmarrës i formuar nga të gjitha shtetet anëtare.  

“Mandati i përfaqësuesit është planifikuar të jetë lehtësimi i dialogut Beograd – Prishtinë, të cilin ai do ta bënte në emër HRVP [Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri], dhe të punojë për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve përmes përmbylljes së një marrëveshje juridikisht detyruese që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura midis palëve.

Stano mes tjerash ka theksuar se mandati i të dërguarit të BE-së duhet të përfshijë gjithashtu promovimin e vlerave të BE-së dhe agjendën më të gjerë të BE-së për rajonin. “EUSR [I dërguari] do të punojë në mënyrë të koordinuar dhe koherente me të gjitha përpjekjet e BE-së dhe politikat e përgjithshme të BE-së ndaj rajonit, si dhe punën e EUSR-ve ekzistues dhe delegacioneve dhe Zyrës së BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Cili është roli i BE-së në dialog?

Korrespodenti i gazetës “Koha Ditore” në Bruksel, Augustin Palokaj thotë për KALLXO.com se ekziston një bindje mes diplomatëve në Bruksel se postin e të dërguarit të BE për dialogun do ta ketë ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajçak.

Por se sipas tij ende nuk ka qartësi se çfarë në të vërtetë do të mbulojë ai në mandatin e tij.

“Flitet se ka kërkuar që të mos kufizohet vetëm në dialogun Kosovë – Serbi por të ketë angazhime edhe për pjesë tjera të rajonit. Kjo shihet me dyshime nga disa shtete pasi BE-ja zakonisht ‘Përfaqësues të Posaçëm’ emëron për rajone dhe vende që janë jostabile. Me këtë dërgon porosinë se edhe Ballkanin Perëndimor e konsideron si zonë jo stabile”, sqaron Palokaj.

Ai shton se roli i BE-së në dialog mbetet i paqartë, sikurse ka qenë edhe në të kaluarën.

Njohësi i zhvillimeve në Bruksel thekson se BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës.

“Qëndrimi ‘neutral ndaj statusit’ në fakt nuk është qëndrim, Insistimi se ‘BE në dialog ka vetëm rolin e lehtësuesit’ dhe se ‘kështu do të jetë edhe në të ardhmen’ dëshmon se BE nuk ka as vizion, as qëndrim e as ambicie të shtyj ndonjë zgjidhje përpara”, thotë ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, Visar Xhambazi, hulumtues nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se lajmi për emërimin e emisarit të posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi është një lëvizje e duhur sepse siç thotë ai  do të ketë një person i cili do të dedikojë kohën dhe energjinë specifikisht vetëm për dialogun.

Megjithatë, Xhambazi shton se emërimi i tij duhet të pritet me një dozë pesimizmi.

“Nëse Lajçak emërohet, atëherë do të kemi dy top diplomatë të BE-së që vijnë nga dy shtete mosnjohëse të Kosovës, përkatësisht Sllovakia dhe Spanja [Josep Borrell]”.

Sipas hulumtuesit, aftësitë e Lajçak si diplomat do të testohen në javët e para të fillimit të punës.

“Nëse ai nuk arrin që të rifillojë bisedimet në një kohë të shkurtër, atëherë të jetë tejet e vështirë që të menaxhojë më tutje me dialogun dhe do të hedh pikëpyetje të tjera për aftësitë dhe kapacitetet e BE-së për ta faciliatuar dialogun Kosovë – Serbi”, theksoi ai për KALLXO.com.

Edhe Augustin Palokaj thekson se me qëndrime të vjetra nuk mund të krijohet një energji e re.

Sipas tij, problemi qëndron tek mungesa e unitetit në BE rreth statusit të Kosovës.

“Edhe Borrel si Përfaqësues i lartë e edhe Lajçak si i preferuari i tij për postin e Përfaqësuesit të posaçëm, vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndonëse Sllovakia ka pasur një qëndrim më fleksibil sesa Spanja këta dy persona nuk shihen si njerëz që mund të shtyjnë Serbinë të njeh Kosovën si shtet. E nëse njohja nuk është qëllim atëherë roli i BE-së mund të shihet vetëm si ndihmë që të krijohet, apo të mbahet, një status quo e re”, shprehet ai.

Kurse, Visar Xhambazi (D4D) thotë se një energji e re në këtë proces është e domosdoshme.

“Dialogu Kosovë – Serbi ka stagnuar për më shumë se një vit dhe është krijuar një nevojë urgjente që të rifillohen bisedimet. Për aq kohë që nuk ka dialog, gjërat vetëm sa do të mund të përkeqësohen dhe jo anasjelltas”, vlerëson ai.

‘Reagimi’ i BE ndaj shtimit të interesit amerikan për negociatat

Paralajmërimi i  Bashkimit Evropian për emërimin e një emisari për negociatat Kosovë – Serbi, po shihet në një mënyrë si reagim ndaj shtimit të interesit amerikan në këtë proces pas angazhimit të Richard Grenell, edhe pse kjo gjë po mohohet nga përfaqësues të BE-së.

Korrespodenti Augustin Palokaj (Koha Ditore) thekson se ky reagim mund të jetë edhe nga kuptimi i Përfaqësuesit të lartë Borrel pas vizitave në Beograd dhe Prishtinë se kjo çështje kërkon më shumë kujdes, më shumë angazhim dhe durim sesa që ai kishte menduar më parë.

Sidoqoftë, Palokaj shton se do të duhet të ketë një koordinim edhe me ShBA-të e ndoshta edhe me Rusinë.

“Nuk e di a është rastësi apo e qëllimshme që Borrell thotë se ‘Kosova nuk mund të jetë shtet i pavarur nëse nuk njihet nga Rusia dhe Kina’. Me këtë qëndrim ai duket të mbështet argumentet e Serbisë më shumë sesa të shumicës së shteteve të BE-së që e kanë njohur Kosovën si shtet”.

Sipas tij, për dallim nga BE-ja që nuk ka qëndrim Shtetet e Bashkuara e thonë qartë se “zgjidhja duhet të jetë njohja e ndërsjellët” si rezultat final i dialogut.

“Për shkaqe të brendshme BE nuk është në gjendje ta thotë këtë si qëllim dhe prandaj do të mbetet peng i këtyre ndasive. Por në BE vazhdojnë të tentojnë që ndasitë t`i paraqesin si përparësi, duke krijuar përshtypjen se pasi janë neutral ndaj statusit, janë në pozitën më të mirë për të qenë ndërmjetësues të pa anshëm”.

Por gazetari shton se kjo nuk duhet shikuar në atë mënyrë, “pasi që ata që e njohin Kosovën si shtet, e njohin edhe Serbinë dhe në këtë mënyrë nga mos njohja vetëm Kosova ka pasoja”.

Prandaj siç vlerëson Palokaj është rritur bindja në Kosovë se vetëm me ndihmën e SHBA-ve mund të mbrohen interesat e Kosovës.

“Nga ana e BE-së do të duhet një angazhim më i madh i shteteve kryesore, sidomos Gjermanisë, Francës e Italisë, pasi suksesi i BE-së gjithmonë varet nga një angazhim i tillë e jo nga strukturat që krijohen apo ekzistojnë në Bruksel që janë vetëm shërbim i BE-së ndërkohë që politikat krijohen nga kryeqytetet”, përfundoi ai.

Ndërkaq, sipas hulumtuesit Visar Xhambazi me riangazhimin amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, është krijuar një nevojë e domosdoshme për BE-në që të marrë përsipër obligimet në territorin e saj.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka vendosur që të bëj lëvizjen e tij në mënyrë që të balancojë ndikimin Amerikan në rajon. Tek e fundit, Kosova dhe Serbia janë shtete Evropiane, dhe nëse BE nuk arrin të ketë rol dhe ndikimin në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, vetëm sa do të hedh në pah mos aftësinë e saj që të menaxhojë me territorin e saj”, thotë ai.

Në anën tjetër, zyrtari evropian Peter Stano thotë se kjo nuk është një shenjë se BE po i përgjigjet interesit të shtuar të SHBA-ve.

“Aspak. Për të rifreskuar kujtesën e të gjithëve: Bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës për të përmirësuar marrëdhëniet filluan në mars 2011 dhe Bashkimin Evropian është lehtësuesi i këtij dialogu që nga ajo kohë, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Sipas Stanos, krijimi pozitës së të dërguarit special në këtë rast, pasqyron vendosmërinë e BE për të vazhduar në përpjekjet e saj dhe të ndihmojë të dy palët për të arritur përparimin e nevojshëm.