Rruga Prishtinë - Podujevë. Foto: KALLXO.com

Qeveria ndan 6 milion euro shtesë për rrugën Prishtinë - Podujevë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

Ky vendim është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se rruga ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit për t’u lidhur me kryeqytetin sa më shpejtë.

Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati tha se parashikimi është që deri në fund të vitit nevojitet kjo shumë e parave.

“Kemi parë dinamik të shtuar në Ministrinë e Mjedisit, dhe parashikimi është që deri në fund të vitit nevojiten edhe 6 milionë euro të tjera. Si rezultat propozojmë që këto mjete të ndahen dhe të merren nga kontigjencat për shpenzime kapitale”- tha ai.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për problemet që e kanë ndjekur rregullimin e kësaj rruge.

Në korrik të këtij viti, KALLXO.com ka publikuar hulumtimin në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë me titull “Dyshimet për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë”, se si Ministria e Infrastrukturës  ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë në tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri Hysen Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.

Ndërkaq në gusht, KALLXO.com ka raportuar se kompanitë  që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

Të dhënat e siguruara nga KPMM tregojnë se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.

KPMM ka bërë të ditur për KALLXO.com se kompanitë e gjobitura e që janë duke punuar rrugën Prishtinë – Podujevë janë ‘Pro&Co Group’, ‘2A Group’, ‘Bageri-1’, ‘Bageri’, ‘Kosova Aslfalt’ dhe ‘Beni-com’.

Aliu për rrugën Prishtinë-Podujevë: Punimet janë intensifikuar, po bëjmë çmos të përfundohet sa më parë