Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tahiri: Kurtin edhe zvarrë me tërheq nga Zyra e Kryeministrit, ai nuk heqë dorë nga privilegjet e xhipat e zi
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministrit Albin Kurti nuk jep dorëheqje sepse, sipas tij, nuk mund të heq dorë nga privilegjet e nga xhipat e zi.
Sipas Tahirit, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme duhet të ndodh dorëheqja e Kurtit.
“Tash kur po dihet që vetëm dorëheqja është opsion për zgjedhje të parakohshme, e kjo dihet që nuk ndodh, sepse Kurtin edhe zvarrë me tërheq nga Zyra e Kryeministrisë, ai nuk hjek dorë nga privilegjet e shumta e nga xhipat e zi që dikur i ‘urrente’” – ka shkruar mes tjerash Tahiri duke renditur disa pyetje që sipas tij, në këto muaj, opozita duhet të përbashkohet ndërsa AAK do të punojë për të pyetur qytetarët e Kosovës kryesisht për mirëqenien e tyre.
“Ne si parti do të shtrojmë pyetje e do ti ofrojmë alternativat. Aleanca i ka alternativat, do ti shihni e do ti debatojmë tani e tutje!” – ka thënë Tahiri.
Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja kishte propozuar datat 30.06.2024 ose 07.07.2024 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.
Karshi kësaj, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kishte thënë se partia e tij mbetet me qëndrimin që Qeveria duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet, e jo të “amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje nëse koordinohet opozita, por jo që qeveria të dorëhiqet.