Qeveria Hoti - Foto: ZKM

Qeveria Hoti emëron Komitetin për partneritetin publik-privat

Qeveria Hoti sot gjatë mbledhjes ka miratuar propozim-vendimin e ministres së Financave, Hykmete Bajramit, për emërimin e Komitetit për partneritetin publik-privat.

Ky Komitet do të përbëhet nga Ministria e Financave- kryesues dhe me anëtarë  Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Pushtetit Lokal.

“Qeveria e Republikës së Kosovës synon të promovojë partneritetin publik-privat përmes një legjislacioni me qëllim të tërheqjes së kapitalit të huaj publik-privat në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët e Kosovës”, tha Bajrami.

Sipas ministres,  në këtë program është paraparë shfrytëzimi i modelit të partneritetit publik privat, financimi i projekteve përmes tij në kuadër të mobilizimit të fondeve për financim të masave për rimëkëmbje ekonomike, ku kërkohet shqyrtimi i këtij modeli si një nga mundësitë edhe për projektet infrastrukturore si projektet hekurudhore, modernizimin e infrastrukturës sportive, turizmit, projekteve në sektorin e  minierës etj.

Bajrami tha se Ministria e Financave është duke punuar në finalizimin për Projektligjin për partneritet publik-privat, i cili përafron këtë fushë me legjislacionin e BE-së për një infrastrukturë më të mirë ligjore dhe krijon infrastrukturë më të mirë ligjore për zbatimin e partneritetit publik-privat në Republikën e Kosovës.