Stuart Peach, i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Britanisë së Madhe, Foto: NATO

Qeveria britanike: Stuart Peach do të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi

Qeveria e Britanisë së Madhe ka theksuar se i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach, i emëruar nga kryeministri Boris Johnson, do të punojë me partnerët në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Stuart Peach është emëruar në këtë pozitë, pas dorëheqjes si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, post që ai e mbajti që nga viti 2018. Më herët ai ka shërbyer  gjithashtu si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

“Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në adresimin e sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe luftimin e grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar do të luajë një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e rajonit dhe partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

Si i dërguar i posaçëm i kryeministrit Johsnon, Stuart thuhet se do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, të tjerë në të gjithë rajonin dhe aleatët në SHBA dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal.

Në lidhje me këtë emërim, kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndarjen e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon vendimtar”, citohet të ketë thënë ai.