Albin Kurti, ministri Liburn Aliu, Foto: Arbrita Uka/ KALLXO.com

Qeset e plastikës bëhen shkak që Kurti dhe ministri i Mjedisit të vizitojnë marketet

Rreth 20 minuta iu deshën kryeministrit Albin Kurti t’i vizitojë dy markete në qendër të Prishtinës, për të parë se a po zbatohet Udhëzimi Administrativ për qeset e plastikës.

Kurti këtë vizitë e realizoi së bashku me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu.

Përgjatë vizitës Kurtit iu prezantuan qeset e plastikës të marketeve përkatëse dhe nga aty ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin qese me vete kur të blejnë gjësende në markete.

“Vetëm këto qeset pa dorëza, pa vegëza do të jenë falas dhe këto përdoren për fruta, e për perime, e për paisje higjienike. Ndërkaq ato qeset prej 25 deri në 50 mikron, ato do të kushtojnë 5 cent, 2 cent shkojnë në buxhet të shtetit, por është mirë që a sot të kemi sa më pak, drejt aspak dhe torbat merrni me vete kur bleni gjësende nëpër vetëshërbime, nëpër markete”- është shprehur Kurti.

Albin Kurit, ministri Liburn Aliu, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

Më tej, Kurti theksoi se qeset me peshë 25 deri 50 mikronë nuk do të kenë llogo dhe se llogot përdoren vetëm për ato të cilat janë mbi 50 mikronë.

KALLXO.com merr vesh se në disa markete qeset e plastikës janë duke u shitur me llogo, ani pse sipas Udhëzimit Administrativ nuk iu lejohet të kenë llogo.

Përveç Kurtit dhe ministrit Aliu, gjatë vizitës ata i ka shoqëruar edhe zëvendës ambasadori Matthias Conrad nga Ambasada gjermane e Kosovës.

Qeset e plastikës janë duke u shitur nga muaji tetor, sipas udhëzimit administrativ për “Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit”.

Çmimi i tyre është 5 cent nga të cilat është menduar që 2 cent t’i takojnë buxhetit të Kosovës.