Qëndrimi i KMShK-së: Si t’iu qasen mediat informacioneve dhe dokumenteve që rrjedhin nga burime të ndryshme

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka dalur me qëndrim lidhur me mënyrën se si t’iu qasen mediat informacioneve dhe dokumenteve që rrjedhin nga burime të ndryshme.

Sipas KMShK-së, gazetarët duhet të kenë kujdes kur përdorin informacione që rrjedhin nga organet e sigurisë, veçanërisht ato të ndjeshme.

Sipas tyre, është e rëndësishme që mediat të kenë qëndrim editorial pse kanë vendosur t’i publikojnë materialet që mund të rrjedhin edhe nga hakerët, “siç është rasti në Shqipëri dhe cili është interesi i publikut për to”.

Ky reagim ka ardhur pas sulmeve kibernetike që ndodhën në Tiranë. Më 19 shtator 2022, Prokuroria e Tiranës nxori një vendim që ndalonte publikimin nga mediat të materialeve “të ndjeshme”.

Sipas KMShK-së, reagimi i prokurorisë erdhi pasi mediat publikuan lajmin se në vitin 2021 ishte planifikuar atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe dy personave të tjerë. Aty përmendej emri i një shtetasi shqiptar, si i dyshuar se do të mund t’i kryente vrasjet. Informacioni i ishte dërguar në email drejtorit të Drejtorisë Antiterror.

Ky është njoftimi i plotë i KMShK-së:

Hakerë iranianë publikuan në faqen e tyre në Telegram të gjithë korrenspeondencën elektronike të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, të kohës kur ai ishte në krye të Drejtorisë së Antiterrorit në Shqipëri.

Më 19 shtator 2022, Prokuroria e Tiranës nxori një vendim që ndalonte publikimin nga mediat të materialeve, sipas prokurorisë, të ndjeshme.

Reagimi i prokurorisë erdhi pasi mediat publikuan lajmin se në vitin 2021 ishte planifikuar atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe dy personave të tjerë. Aty përmendej emri i një shtetasi shqiptar, si i dyshuar se do të mund t’i kryente vrasjet. Informacioni i ishte dërguar në email drejtorit të Drejtorisë Antiterror.

“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Ky vendim është kundërshtuar nga gazetarë në Shqipëri, duke e konsideruar pa bazë ligjore. Sipas tyre, ruajtja e sekretit hetimor i përket prokurorisë dhe mediat nuk kanë pse të respektojnë këtë vendim.

Duke parë qasjen e prokurorisë dhe mediave karshi informacionit dhe dokumenteve që rrjedhin nga burime të ndryshme dhe duke marrë parasysh interesin e publikut për t’u informuar, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) del me këtë

QËNDRIM

Për qasjen e mediave karshi publikimit të informacioneve dhe dokumenteve që rrjedhin nga burime të ndryshme

Çështja e publikimit ose jo të informacioneve që rrjedhin nga burime të ndryshme është e ndjeshme dhe në Kosovë është e rregulluar me ligjet përkatëse që kanë të bëjnë me klasifikimin e informacioneve, mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, mrojtjen e të dhënave personale dhe Kodin e Etikës të KMShK-së.

Gazetarët duhet të kenë kujdes kur përdorin informacione që rrjedhin nga organet e sigurisë, veçanërisht ato të ndjeshme, por ata duhet ta kenë parasysh interesin publik.

Ata duhet të sigurohen që publikimi i informacioneve nuk bie ndesh me asnjërën nga ndalesat e përfshira në ligjet përkatëse.

Të gjitha informacionet duhet trajtuar me kujdes dhe duhet të ketë verifikim rigoroz të vërtetësisë së tyre.

Është e nevojshme që gazetarët dhe mediat të ndërtojnë standarde se si t’i përdorin këto informacione.

Është e rëndësishme që mediat të kenë qëndrim editorial pse kanë vendosur t’i publikojnë materialet që mund të rrjedhin edhe nga hakerët, siç është rasti në Shqipëri dhe cili është interesi i publikut për to.

Po ashtu, duhet konfirmuar vërtetësia e informacionit që është rrjedhë, në mënyrë që publiku të mos vihet në lajthitje

Gazetarët dhe mediat duhet verifikuar nëse kanë të bëjnë me sekret shtetëror dhe nëse me publikimin e të dhënave cenohet sekreti i hetimit. Nuk duhet zbuluar emrat e dëshmitarëve ose rrethanat që mund t’i dëmtojnë hetimet.

Në rastin e raportimit për atentatet e supozuara në Kosovë sekreti i hetimit nuk është cenuar, sepse rasti ka ndodhur muaj më parë.

Mediat duhet të kenë kujdes se si i publikojnë informacionet, duke i redaktuar dhe mos i bërë publike të dhënat personale të personave që përmenden aty.

Mediat duhet të konfirmojnë që burimi është i saktë. Duhet pasur parasysh mundësinë e falsifikimit, si psh. informacionet mund të ofrohen nga një email i rrejshëm ose mund të paraqiten edhe në forma të ndryshme të lajmeve të rreme, si “deep fake”. Hakerët mund të falsifikojnë, me qëllim që ta dezinformojnë publikun.

Publiku ka interes që të informohet se çfarë ka mundur t’iu ndodh udhëheqësve shtetërorë ose zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm.

Rregullativa ligjore dhe dokumentet e etikës, me të cilat funksionojnë mediat dhe gazetarët, janë të qarta.

Gjykata mund ta ndalojë publikimin e informacioneve në raste te caktuara kur peshohet interesi publik përballë sigurisë shtetërore apo kur pjesërisht a plotësisht një informacion nuk është i saktë apo përbën vepër penale.

Marrë parasysh të gjitha këto, KMShK konsideron se mediat mund t’i publikojnë informacionet e tilla, por vetëm pas verifikimit rigoroz dhe të kujdesshëm të vërtetësisë së informacionit dhe evitimit të rënies ndesh me dispozitat ndaluese të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve, Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Kodit të Procedurës Penale dhe çdo dispozitë tjetër ligjore relevante.