Foto: Naser Sertolli / KALLXO.com

Pylli i Arinjve mbyllet për vizitorë shkaku i COVID-19

Pylli i Arinjve Prishtina do të mbyllet për vizitorë si masë e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Kështu kanë bërë të ditur stafi i këtij parku përmes një postimi në Facebook.

“Për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë Covid-19 në vendin tonë, PYLLI I ARINJVE Prishtina përsëri do të mbyllet për vizitorët deri në një njoftim të radhës. Siguria e stafit tonë, e vizitorëve, dhe e arinjve në kujdesin tonë, janë me prioritet për ne”, thuhet në postim.

Tutje ata janë zotuar se do të përkujdesen për arinjtë që jetojnë në atë park.

“Gjatë kohës sa do të jemi të mbyllur, do të vazhdojmë të sigurohemi që arinjtë tanë kanë gjithë kujdesin e nevojshëm. Shpresojmë të hapemi së shpejti, shpresojmë dhe besojmë në mirëkuptimin tuaj”, thuhet tutje aty.

Në Kosovë për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 janë marrë disa masa të cilat përfshijnë mbylljen e gastronomisë nga ora 21:00 deri në orën 5:00 si dhe karantinimin e disa qyteteve në fundjavë, nga e premtja në ora 20:00 deri të hënën në ora 5:00.