Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Gastronomët thirrje qeverisë për zgjatjen e orarit të punës

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës sot i bëri thirrje qeverisë për zgjatje të orarit të funksionimit të bizneseve.

“Duke marrë parasysh situatën dhe mos-efektivitetin e masave, ne njëzërit edhe me Odat dhe Shoqatat tjera sektoriale, i bëjmë thirrje Qeverisë që të drejtojë fokusin drejtë çështjeve ekonomike dhe të ngrisë nivelin e dialogut publiko-privat. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve dhe unifikimit të tij për të gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së.”, u bë e ditur  në njoftim.

Sipas shoqatës, zgjatja e orarit pashmangshmërisht duhet të ndodhë.

“Respektivisht, sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’iu duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’iu duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit.”, bëri të ditur shoqata përmes një postimi në facebook.

Ndryshe , më 11 dhjetor Shoqata e Gastronomëve, Oda e Hotelerisë dhe Turizimit të Kosovës dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë, të mbështeturat nga odat ekonomike në vend kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të zgjasin orarin e punës apo edhe të heqin krejtësisht këtë kufizim. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se lehtësim për bizneset është Ligji për Rimëkmëbje./21Media