Ministria e Shëndetësisë takim me kryetarët e komunave, propozohet të vazhdojnë edhe për dy javë masat aktuale

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një komunikate ka bërë të ditur se, sot kanë mbajtur një takim virtual me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ku është disktuar lidhur me situatën me COVID-19 dhe zbatimin e masave.

U.d. ministrja informoi kryetarët e komunave se deri tani me dozën e parë të vaksinës janë vaksinuar 67.5% e popullatës  mbi 16-vjeç dhe 47.6% me dozën e dytë.

Vlerësimi i përgjithshëm, sipas Dafina Gexha-Bunjakut, është që këto masa të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme, sidomos tani që ka nisur shkolla dhe po zhvillohet fushata për zgjedhjet lokale më 17 tetor.

 Ushtruesja e detyrës së ministrit kërkoi edhe nga inspektoratet dhe Policia që të sforcojnë aktivitetet në zbatimin e masave kundër kësaj pandemie të cilat janë në  fuqi.

Në këtë takim, kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e tjerë komunalë paraqitën sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks në çështjet e vaksinimit dhe furnizimit me barna.

 Asociacioni i Komunave të Kosovës  po ashtu kërkoi që më 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve të 17 tetorit) të mos mbahet mësimi por të dezinfektohen shkollat meqë aty pritet të mbahen votimet. 

Po ashtu u kërkua që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksinuar si dhe të hiqen maskat kur një person vetëm është duke ecur.

Nga kryetarët e komunave u kërkua që të shikohet mundësia e heqjes së orës policore dhe të vazhdojë furnizimi i komunave me barna esenciale.