Foto: KALLXO.com

Punësimet “akraba” në Komunën e Mamushës

Punësimet familjare apo siç i ka quajtur “akraba” kryetari i Mamushës Abdylhadi Krasniç dhe probleme tjera elementare si uji i pijes, mungesa e sistemit të ujitjes për bujqit dhe mbeturinat janë problemet kryesore me të cilat përballen banorët e Komunës së Mamushës.

Në Komunën e Mamushës janë dy subjekte ndërmjet të cilave mund të zgjedhin banorët e kësaj Komune: KDTP dhe KTAP, kurse PDK si parti e tretë ka një përfaqësues në Asamblenë Komunale.

Mamusha nga fshat i Prizrenit, u shndërrua në Komunë në vitin 2008 dhe është ndër komunat më të vogla në Kosovë me rreth 5 mijë banorë.

Veçori e kësaj Komune është që nuk ka asnjë fshat dhe Mamusha është vendi i vetëm në Kosovë me shumicë turke – 93.1 %, pakicat tjera janë shqiptarë me 5.9% dhe një pakicë simbolike nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian 0.9%.

Ekonomia e kësaj komune është e bazuar kryesisht në bujqësi dhe në shkallë të vogël të tregtisë aktive.

Drejtoritë e udhëhequr nga burrat me shkollë të mesme

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet komunale, Abdylhadi Krasniç, tashmë kryetar i Mamushës kishte premtuar  emërimin e grave drejtoresha, mirëpo pos që ka dështuar të mbaj këtë premtim i njëjti ka emëruar drejtorë me shkollë të mesme.

Komuna e Mamushës ka 6 drejtori, e të gjitha udhëhiqen nga burrat, kurse kjo Komunë asnjëherë nuk ka pasur një grua drejtoreshë.

Kryetari Abdylhadi Krasniç ka emëruar nënkryetar komune djalin e hallës së tij, i cili është me shkollë fillore. Kryetari Krasniç ka pranuar se nënkryetarin e ka  “akraba” apo familjar, por nuk ka dhënë sqarime pse i njëjti është emëruar në këtë detyrë.

Pos kësaj 3 nga 6 drejtorët e Komunës kanë të kryer vetëm shkollën e mesme, e ata janë drejtori i Administratës së Përgjithshme (Mahmut Taç), drejtori i Shërbimeve Publike (Tarkan Mazrek) dhe drejtori i Urbanizmit (Ramadan Morina).

Mungesa e ujit të pijes

Kryetari Krasniç ka dështuar të përmbush premtimin e tij kryesor dhe të zgjidh problemin esencial për qytetarët e Mamushës

Edhe vet kryetari i Mamushës ka treguar se edhe ai përdor ujin e bunarit, kurse ka treguar se në vazhdimësi ka qenë kërkesë e Komunës për të gjithë kryeministrat dhe qeveritë t’iu plotësojnë këtë nevojë të banorëve.

Ai ka treguar se duhen rreth 3 milion euro shpenzime për të zgjidhur këtë problem, mirëpo buxheti i Komunës është shumë i vogël për të bërë zgjidhje.

Bujqit pa sistem të ujitjes të tokave

Mamusha njihet si Komunë me shumë serra dhe tokë bujqësore, mirëpo bujqit kanë problem mungesën e sistemit të ujitjes.

Lidhur me mungesën e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore, kryetari i Mamushës ka thënë se kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përkohshme, duke i ulur koston e shpenzimeve për ujitje për bujqit, por që sipas tij pa ndihmën e Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë nuk ka ndonjë zgjidhje afatgjatë.

Sukseset në Shëndetësi

Shëndetësia është sektori në të cilin gjatë tre viteve shërbimet shëndetësore në këtë komunë janë përmirësuar dukshëm.

Komuna e Mamushës për çdo lindje e subvencionon me një shumë simbolike prej 100 euro.

Kryetari Abdylhadi Krasniç ka mbajtur premtimin e tij për ofrimin e shërbimeve mjekësore 24 orë, dhe gjithashtu ka mbajtur edhe premtimin për funksionalizimin e emergjencës, që tashmë ka dy autoambulanca në funksion.

Mjekësia familjare në Mamushë nga 3 mjekë tashmë ka 13 mjekë, por Mamusha është e vetmja komunë që nuk e ka statusin për të pasur një Qendër të Mjekësisë Familjare.

Sipas kryetarit rreth 85% e barnave që rekomandohen nga mjeku gjinden në objektin e mjekësisë familjare në Mamushë.

Kryetari i Komunës së Mamushës Abdylhadi Krasniç ka treguar se shumë shpejt do të ndërtohet rrjeti i kanalizimit të Mamushës që do të derdhet në lum.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).