Publikohet video ku një person i panjohur dorëzon "dosjet e Gjykatës Speciale" në OVL të UÇK-së

Nënkryetari i Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka publikuar një video në rrjetin social ‘Facebook’ ku shihet një person i panjohur me kapele dhe syze dielli, duke e dorëzuar një pako, që sipas Haradinajt, janë dosje të Gjykatës Speciale.

Kjo pako është dorëzuar ditën e djeshme.

Ndërsa në një konferencë për media të mbajtur dje, Haradinaj tha se kjo pako përmban të dhëna të dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

“Çka është më keqja janë emrat e të gjithë dëshmitarëve që thonë se i kemi mbrojt, ku është logjika e mbrojtjes së dëshmitarëve, përderisa të dhënat e tyre tregojnë për çdo person kur është intervistuar, në cilin vend dhe datë është marrë në pyetje”, ka thënë Haradinaj dje në konferencë.

Ndërsa një tjetër video e ka publikuar Nasim Haradinaj, sipas të cilit, shihen zyrtarë të Gjykatës Speciale që kanë konfiskuar këto dosje.

“Personat e tribunalit që konfiskuan kopjen të cilën deshëm të ia japin prokurorisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.